Osmani dhe Kurti e fshehën kërkesën e sekretarit amerikan që të fillojë diskutimi për Asociacionin

0
163

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken u ka thënë presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti në takimin që kanë pasur në Departament të Shtetit se duhet të nisë diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony]Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha ai.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.

Kërkesa e Escobarit (lexo: SHBA-ve) për nisjen e diskutimeve për Asociacionin është deklarata e parë zyrtare e këtij lloji, ku Kosovës i bëhet qartë me dije se çfarë duhet të bëjë, shkruan Demokracia.com.

Mirëpo, një kërkesë e tillë e bërë për Osmanin dhe Kurtin gjatë vizitës në SHBA nga sekretari Blinken u mbajt e fshehur nga dy krerët e shtetit.

Pas kthimit nga SHBA-të, Kurti dhe Osmani mbajtën konferencë për media në Aeroportin “Adem Jashari”, duke treguar se çfarë ndodhi në Uashington dhe cilat ishin temat që u diskutuan atje. Çuditërisht, as presidentja e as kryeministri nuk e zunë fare në gojën kërkesën për Asociacion.

Osmani në këtë konferencë pati folur për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, sigurinë dhe mbrojtjen, reformat e brendshme, sundimi i ligjit, etj.

“Me sekretarin Blinken diskutuan edhe për që tema e dialogut me Serbinë duhet të përqendrohet në njohje, ku edhe një herë u konfirmuar se duhet të ndodh njohja reciproke ndërmjet dy shteteve. Po ashtu ne e kemi informuar sekretarin Blinken se ku qëndrojmë me disa marrëveshje të arritura, p.sh. marrëveshja për energjinë, diskutimet tjera të cilat po vazhdojnë, ku jemi me fazën e implementimit dhe shumë çështje të tjera”, deklaronte Osmani në konferencën e 30 korrikut, por pa e përmendur as edhe një herë Asociacionin dhe kërkesën e amerikane.

Ndërkaq Kurti në këtë konferencë më shumë ka folur për marrëveshjen me MCC-në ku Kosova përfiton më shumë se 200 milionë dollarë ndihmë nga SHBA-të për bateritë akumuluese të energjisë.