Osmani: Gabim historik për vendin nëse s’ka marrëveshje LDK-VV

0
198

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se është gabim historik për vendin nëse nuk arrihet marrëveshja mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë mund të shpreh qëndrimin tim krejtësisht personal, meqënëse akoma nuk janë mbledhur organet e LDK-së dhe nuk mund të flas se cili do të jetë qëndrimi i ri pas atyre zhvillimeve”.

“Mendoj që do të ishte gabim historik nëse nuk ka marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Do të ishte gabim historik për vendin tonë”.

Ajo po ashtu ka sqaruar se mbledhja e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të LDK-së, të parapara për sot, janë shtyrë për të hënën për arsye se disa deputetë dhe anëtarë të kryesisë janë jashtë vendit.

Osmani ka thënë se në këto takime do të diskutohet për situatën e krijuar politike pas zhvillimeve që ndodhën në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Natyrisht që pas zhvillimeve të 26 dhjetorit ka qenë nevoja që organet e LDK-së të mblidhen edhe njëherë për të diskutuar për rrethanat e reja. Fillimisht këto takime kanë qenë të ftuara për të premten, mirëpo meqenëse një numër i deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë nuk janë në Kosovë dhe është e domosdoshme që të jenë të pranishëm një numër më I madh, takimet janë shtyrë për të hënën – pra, arsyet janë krejtësisht teknike”.

“Të hënën do të ulemi dhe do t’i diskutojmë këto rrethana të reja, do të shohim se cili është qëndrim i kryesisë, por mbi të gjitha cili është qëndrimi i deputetëve sepse ata e kanë marrë legjitimitetin qytetar dhe do të votojnë në fund lidhur me vendimet që vijnë në Kuvendin tashmë të konstituar.

“Pasi t’i dëgjojmë qëndrimet e të gjithëve, do të shohim se si do të procedojmë më tutje”.