OVL e UÇK-së: Komisioni mjekësor për përcaktimin e shkallës së invaliditetit po i injoron veteranët-invalid

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) përmes një komunikate ka njoftuar se komisioni mjekësor i formuar nga qeveria e Republikës së Kosovës, më shumë është duke i injoruar, por edhe përbuzur në mënyrë jo të dinjitetshme veteranët-invalid, sesa është duke ua përcaktuar shkallën që e meritojnë.

OVL UÇK ka njoftuar se do të takohen me përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ta diskutuar këtë shqetësim, thuhet në komunikatë.

Ja komunikata e plotë e OVL UÇK-së:

KOMUNIKATË

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, përveç tjerash diskutoj edhe për funksionimin e komisionit mjekësor për shkallën e invaliditetit të Veteranëve të UÇK-së, të cilët kanë fituar statusin e invalidit të luftës nga komisioni verifikues qeveritar.

Duke pasur parasysh shqetësimet që na vijnë për çdo ditë në selinë qendrore të OVL UÇK-së, konsiderojmë se komisioni mjekësor i formuar nga qeveria e Republikës së Kosovës, më shumë është duke i injoruar por edhe përbuzur në mënyrë jo të dinjitetshme veteranët-invalid, sesa është duke ua përcaktuar shkallën që e meritojnë.

Ne, si OVL UÇK, do të takohemi me Qeverinë e Republikës së Kosovës për ta diskutuar këtë shqetësim, pasiqë në të kundërtën është e patolerueshme që mostrajtimi dinjitoz(njerëzor) i tyre të vazhdoj edhe më tutje.

Lini një Përgjigje