OVL UÇK: Marrëveshjet Kosovë-Serbi duken të mjegulluara

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar lidhur me nënshkrimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, duke i quajtur ato si të mjegulluara, transmeton Fokusi.info.

Përmes një komunikate për media, OVL ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të sqarojnë publikun se çfarë përmbajnë këto marrëveshje.

Komunikata e plotë:

OVL e UÇK-së përshëndet çdo kontribut nga shtetet aleate dhe organizmat ndërkombëtar që e mbështesin rrumbullaksimin e shtetndërtimit të Kosovës. Do të dëshironim të themi kështu edhe për dy angazhimet e fundit në relacionin Kosovë-Serbi të personaliteteve të respektuara, z. Grenell, i ngarkuari i Presidentit të SHBA-së z.Tramp dhe z.Borel, përfaqësuesi i lartë i BE-së.

Nënshkrimi i marrëveshjes për korridorin ajror në relacionin Prishtinë-Beograd, e poashtu nënshkrimi i marrëveshjeve të sotme për hekurudhat dhe autostradat, siç e kemi parë në media, duken të mjegulluara.

Prandaj, OVL UÇK kërkon nga ish Qeveria dhe Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës, si dhe institucionet e partitë politike, që të sqarojnë publikun se çfarë përmbajnë këto marrëveshje.

Prishtinë, Kryesia e OVL UÇK-së
14 shkurt 2020 Kryetari Hysni Gucati