OVL-UÇK- Mos bëni presion mbi deputetët!

Organizata e Vetaranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) përmes një komunikate  kërkon nga Ambasadorët e shteteve mike të KUINT-it, që të mos bëjnë presion mbi deputetët e Kuvendit të Republikes së Kosovës, sepse ata janë sovrani i votës së popullit.

“Ne si OVL UÇK, ishim dje dhe jemi edhe sot për shfuqizimin e Gjykatës Speciale sepse konsiderojmë se kjo gjykatë është e njëanshme, prandaj përmes kësaj komunikate i bëjmë me dije opinionit publik se ne si veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër drejtësisë dhe organeve të saj, por kemi qenë dhe jemi kundër padrejtësive që po na shkaktohen si popull viktimë e luftës së fundit në Kosovë, sepse siç e dini, ne kemi kërkuar dhe kërkojmë në vazhdimësi që të krijohet Gjykatë vendore, e cila do të merrej me gjykimin e të gjitha krimeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

OVL-UÇK përmes komunikatës kërkon nga Kryesia e Kuvendit dhe Kryetari i saj, që ta procedojnë iniciativën për shfuqizimin e gjykatës special, si obligim kushtetues që e kanë.