Pacolli thotë se nuk do t’i ndalë lobimet, ia ofron në shërbim Konjufcës aeroplanin e tij privat

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është shprehur i gatshëm që ta vazhdojë punën e tij për të lobuar për shtetin e Kosovës. Në një bisedë me Gazetën Sinjali, Pacolli është shprehur i gatshëm që ta ndihmojë ministrin e ri të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën, duke ia oftuar edhe aeroplanin e tij privat.

Pacolli tashmë që nuk është më në postin e kryediplomatit të shtetit ka thënë se si person i lirë mund të jetë më i efektshëm në promovimin e Kosovës.

Ai thotë se nga posti i kryediplomatit është më e vështirë që të lobohet për shkak se duhet t’i përmbahesh agjendës protokollare.

“Po sigurisht unë nuk mundem mos me bë diçka që është me rëndësi vitale, bile unë mendoj që të mosqenurit i lidhur me pozitën, unë jam shumë i lirë me vepru, për shkak se më herët kanë qenë disa limite edhe nëse je shku diku është dashtë me iu përmbajt protokollit”.

“Sipas protokollit, vizita duhet me shku përmes MPJ-së, vizita me u konfirmu nga vendi mik që të pret, tani edhe regjimi i vizave për shkak të pasaportës dhe të gjithë ato procedurat diplomatike, dhe ato ta limitojnë gjithmonë veprimtarinë. Unë tash jam i lirë, një njëri edhe me pasaporta tjera që mundet me lëvizë kur dëshiron dhe kur është e nevojshme”, ka deklaruar Pacolli për Gazetën Sinjali.

Madje tani Pacolli e konsideron vetën më të përgatitur që t’i sjellë njohje Kosovës.

“Tani po më duket që jam më i përgatitur për t’i sjellë vendit atë që duhet t’i sillet”, theksoi Pacolli ndër të tjera.

Në anën tjetër, derisa Kosova nuk ka ende aeroplan, Pacolli është i vetmi person në Kosovë që ka një mjet të tillë udhëtimi.

Kur është pyetur nëse nëse do ta ndihmojë Konjufcën edhe me aeroplanin e tij privat, Pacolli ka thënë se derën nuk do t’ia mbyllë askujt.

“Sigurisht që asnjëherë nuk mundem me ia mbyllë derën askujt, dera mbetet hapur dhe e thash që edhe dje që jam gjithmonë i gatshëm të jap kontributin tim aty ku ka nevojë”, ka deklaruar Pacolli për Gazetën Sinjali.

Ai ka thënë se gjatë ditës së djeshme i ka dorëzuar të gjitha raportet dhe kontaktet që ai i ka pasur si kryediplomat.

“Unë kam biseduar shumë gjatë dhe së pari atij ia kam përgatitur dorëzimin si duhet, me raport definitiv me çdo kontakt që kam pasë dhe çdo rrugë që kam pasë si dhe çdo person që e kam kontaktuar. Ia kam dorëzuar numrat e telefonit dhe me personat ndihmës që kanë qenë të përfshirë, arsyet e takimit, në çfarë rrethane është bërë takimi dhe e ka një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur prej ditës së parë deri në ditën e fundit. E ka një pasqyrë për të gjitha mangësitë që i bartë MPJ edhe tani”.

“E ka një raport se çfarë duhet të bëhet urgjentisht dhe ku ai duhet të koncentrohet. E ka jashtëzakonisht leht, e ka një raport shumë të sinqertë që vetëm duhet me e implementu”, ka deklaruar Pacolli.

Ish-zv/kryeministri i Kosovës ka folur edhe për votën e tij pro Qeverisë Kurti. Ai i ka thënë Gazetës Sinjali se është ndjerë shumë keq në ditën kur u votua Qevria Kurti, për shkak të polemikave të deputetëve.

“Unë në shpirt jam konstruktiv, ju e patë edhe vetë edhe pse kam pas arsye të forta me qenë prej të hidhëruarve, por unë nuk jam ai njeri. Për shkak se sikurse çdo person edhe unë kam emocionet dhe arsyet e mija dhe ndoshta nën afekt mundem me bë diçka, por nuk mund të mbijetoj me diçka të tillë”, ka deklaruar ai

Më tutje, Pacolli ka thënë se për Qeverinë Kurti do të votonte edhe 100 herë nëse do të ishte në situatën e njëjtë.

“Sigurisht që jam ndjerë shumë keq atë ditë kur është votuar Qeveria Kurti prej kolegëve deputetë, por unë besoj që kjo shkon në fund të fundit në përmirësimin e kualitetit të punës dhe jam i lumtur që kam vepruar ashtu dhe edhe një mijë herë me u përsëritë ajo situatë, prapë do të veproja ashtu për shkak se nuk di ndryshe”.

“Kjo nuk do të thotë që kam një ndarje prej kolegëve të mi të opozitës për shkak se unë mbetem gjithmonë pjesë e opozitës, por të një opozite konstruktive që shkon në favor të qytetarëve”, ka deklaruar Pacolli.

Gjatë ditës së djeshme, Pacolli ia ka dorëzuar Konjufcës postin e kryepdilomatit të Kosovës. Ky takim mes tyre zgjati më shumë se zakonisht për shkak të Pacollit i cili duket se ka qenë i interesuar t’i tregojë gjithçka Konjufcës.