Paga minimale në sektorin publik ka arritur gati dyfishin e asaj në sektorin privat

Që nga 2011-ta, paga minimale në sektorin privat në Kosovë nuk ka lëvizur.
Ajo vazhdon të jetë 170 euro, derisa çmimet e produkteve esenciale janë rritur në vazhdimësi, e bashkë me to edhe pagat në sektorin publik.
Pavarësisht, se paga më e ulët në sektorin publik, do të jetë 239 euro, sektori privat vazhdon të jetë më i anashkaluari për pagat, ku punëtorët paguhen 170 euro aq sa është paga minimale, ndërsa për ata që janë nën moshën 35 vjeç, edhe 130. Kjo pagë, e cila është më e ulëta në rajon vazhdimisht është cilësuar si diskriminuese, raporton KTV.
Rritjen e vazhdueshme të çmimeve e konfirmojnë edhe tregtarët, të cilët thonë se produktet ushqimore kanë pësuar ngritje të konsiderueshme ndër vite.
Qytetarët, të revoltuar, tregojnë se kanë vërejtur ndryshim të madh te çmimet e produkteve ushqimore, kurse pagat në sektorin privat kanë mbetur të njëjta.
Në fund të vitit 2017, Këshilli Ekonomik Social, pjesë e të cilit janë sindikatat, Oda Ekonomike dhe Ministria e Punës, mori vendim që paga minimale të rritet në 250 euro.
Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë.
Madje, kjo sindikatë, atëkohë e kishte kërcënuar qeverisjen aktuale edhe me grevë e protesta, nëse nuk rritet paga minimale.
Ministria e Financave mosrritjen e pagës minimale, e ka arsyetuar me faktin se Ligji për veteranët e specifikon se pensioni i veteranëve nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale dhe ngritja e saj do të shkaktonte barrë të madhe për buxhetin.