Pali godet fort Hashim Thaçin

Deklaratat e presidentit të vendit, Hashim Thaçi se taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake duhet të rishikohet për t’u hequr për dy arsye, ka gjetur kundërshti të fortë nga Ministri i Infrastrukturës dhe njëherësh zyrtari i AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj, në një përgjigje për Gazetën Blic ka thënë se është është i pakuptimtë ky kundërshtim i presidentit dhe të tjerëve ndaj taksës 100%, duke shtuar se kjo taksë u ka thënë stop padrejtësive të vazhdueshme serbe në drejtim të Kosovës.

“Është i pakuptimtë ky kundërshtim i presidentit dhe të tjerëve ndaj taksës 100%. Vendosja e saj u ka thënë stop padrejtësive të vazhdueshme serbe duke mos respektuar asnjë marrëveshje të arritur në bisedimet e Brukselit dhe në këtë formë duke shkaktuar dëme të shumëfishta për vendin tonë”, tha Lekaj.

Duke komentuar deklaratat e presidentit të vendit se Kosova nuk e ka luksin dhe nuk guxon t’i thotë “jo” këshillës së SHBA-ve, Lekaj tha të kundërtën. Shtoi se ShBA ka punuar shumë që të forcojë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, dhe se vendimi për taksën 100% është një vendim i një shteti të tillë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku dhe mbështetësi më i çmueshëm i Republikës së Kosovës dhe kryeministri Haradinaj në asnjë mënyrë nuk punon drejt prishjes së këtij relacioni. ShBA ka punuar shumë që të forcojë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran dhe vendimi për taksën 100% është një vendim i një shteti të tillë. Përveç kësaj e taksën 100% ne më në fund po i dalim Zot prodhuesve vendor. Kjo taksë ka kthyer të gjithë vëmendjen kah produktet vendore” tha ai për Gazetën Blic.

Kurse, duke komentuar “parashikimet” e presidentit Thaçi se Haradinaj do ta ketë fundin e keq, ministri nga radhët e AAK-së tha se është absurde që të thuhet një gjë e tillë. Shtoi se nuk u frikësohen as varianteve të mundshme të koalicioneve të cilat janë duke qarkulluar në publik.

“Edhe më absurde është të thuhet se Ramush Haradinaj do ta ketë fundin e keq. Si mund t’i ndodhë kjo dikujt që po e mbron vendin e tij? Dikujt që prej kur ka ardhur në pushtet, ka marrë vendime të mëdha për vendin, siç është bërja e Kosovës me ushtri, vendim ky për të cilin individë të shumtë ishin skeptik që duhet të ndodhë. Prandaj, ne nuk frikësohemi nga këto variante të mundshme të koalicioneve që po qarkullojnë në opinionin publik, nuk frikësohemi as nga zgjedhjet sepse prapa vetes kemi arritjet e mëdha që asnjë qeveri tjetër nuk mundi t’i bëjë deri më tani dhe nuk ka diskutim që me këtë e kemi edhe votuesin” tha ai.

Ministri i Infrastrukturës gjithashtu ka kritikuar edhe idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve, ku tha se, një ide e tillë është e rrezikshme.

“Në fakt unë do ta konsideroja të rrezikshme idenë e korrigjimit të kufijve, akt ky që shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës që e mbron paprekshmërinë e territorit. Prandaj do të duhej të jemi unik në mbajtjen e taksës dhe mbrojtjen e pavarësisë së vendit tonë”, përfundoi ai.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, presidenti i vendit, Hahsim Thaçi ka kritikuar kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj për mos pezullimin e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Shtoi gjithashtu se Kosova “nuk e ka luksin dhe nuk guxon t’i thotë “jo” këshillës së SHBA-ve”./Gazeta Blic/

Lini një Përgjigje