Panucci vendos skemën kundër Norvegjisë

Christian Panucci vijon përgatitjet për miqësoren me Norvegjinë, e cila do të luhet më 26 Mars, në stadiumin ‘Elbasan Arena’ dhe do të transmetohet në Supersport 2, në orën 19:00.

Në kompleksin ‘Tropikal’ në Durrës, trajneri po punon me mjaft seriozitet me 26 lojtarët e grumbulluar për këtë sfidë, ndërsa grupi është I plotë, me përjashtim të Grezdës, që nuk u stërvit me skuadrën pasditen e të premtes.

Ndonëse për formacionin ka ende disa dilema, Christian Panucci duket se e ka ‘ndarë mendjen’ në lidhje me skemën që do të përdorë në atë sfidë, por edhe në të ardhmen me kombëtaren shqiptare.

Kështu kuqezinjtë do të rreshtohen në një skemë 4-3-3, që sheh dy anësorët e sulmit që të luajnë më të avancuar, ndryshe nga periudha e De Biasit, ku luanin shumë mbrapa, aq sa shpesh rreshtimi ngjante si 4-5-1.

Sa i përket 11-shes, dilemat janë të shumta, duke filluar që nga porta, ku Strakosha dhe Berisha po kalojnë një formë mjaft të mirë që të dy dhe kanë vënë në dyshime Panuccin.

Mbrojtja duket ajo ku trajneri është më i qartë momentalisht, pasi në qendër Mavraj do të shoqërohet nga Gjimshiti, me këtë të fundit që po kalon një formë mjaft të mirë te Benevento, ndërsa Ajeti dhe Prenga pritet ta nisin nga stoli.

Në krahun e djathtë, si gjithmonë do të luajë Hysaj, ndërsa në të majtë, pavarësisht momentit të mirë të Lenjanit, Panucci i beson shumë Alijit dhe pritet ta hedhë nga minuta e parë, për të parë progresin e tij pas transferimit në Serinë B.

Në mesin e fushës dilemat janë të shumta, teksa Taulant Xhaka duket i vetmi që e ka të sigurt fanellën e titullarit. Përveç mesfushorit të Baselit, hapësirë pritet të ketë edhe Kamer Qaka, që po tregon një formë të shkëlqyer në kampionatin rumun, ndaj Panucci do të kërkojë ta përfshijë edhe në lojën e Shqipërisë. Lojtari që ka më shumë shanse për të plotësuar 3-shen e mesit të fushës, aktualisht është Ramadani, që duket se po bind trajnerin italian me paraqitjen e tij.

Sa i përket sulmit, Panucci ka alternative të shumta, si në krahë, ashtu edhe në majë të këtij reparti, por duket se Roshi-Sadiku-Grezda janë ata që ofrojnë më shumë garanci për trajnerin e kuqezinjve. Dilema e vetme është mbi sulmuesin elbasanas, që ka luajtur shumë pak kohët e fundit, ndaj po konsiderohet edhe aktivizimi i Balës nga minuta e parë. Vlen të përmendet se në gjatë stërvitjes së sotme, ka mbetur i dëmtuar Grezda, por duket se nuk ka asgjë shqetësuese dhe do të jetë në dispozicion të skuadrës, për sfidën e të hënës.

Formacioni i mundshëm: Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Mavraj, Aliji; Ramadani, Xhaka, Qaka; Grezda, Roshi, Sadiku. /SS/

Lini një Përgjigje