Paralajmërimi për thyerjen e parë të një premtimi parazgjedhor

Shkruan Nexhmedin Gerguri

Koalicioni i paralajmëruar qeveritar dhe në përpjekje për formim LVV-LDK bëri të ditur, pas takimit të dytë të grupeve punuese, se kanë vendosur të fuzionojnë Ministrinë e Diasporës dhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme! Që Ministria e Integrimeve Evropiane, pas dështimit të liberalizimit të vizave dhe një politike të re orientuese drejt zgjerimit të BE-së të Qeverisë Macron të Francës, të fuzionohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme, është e kuptueshme, por që Ministria e Diasporës të shndërrohet në një drejtori të Ministrisë së Punëve të Jashtme më duket një vendim krejt i pamatur dhe një thyerje e premtimit parazgjedhor, sidomos të LVV-së, e cila premtoi fuqizim të rolit të mërgatës në jetën politike dhe ekonomike të Kosovës nën qeverisjen e saj.

Se krahu i kryetarit aktual të LDK-së mbështet këtë vendim nuk është e çuditshme, pasi që ai në një intervistë në Zona B të Baton Haxhiut mërgatën e konsideroi edhe një fajtore të humbjes së partisë së tij dhe në njëfarë mënyre votën e saj si votë jo cilësore, që sipas tij nuk do të duhej të ishte përcaktuese për konfiguracionin politik të Kosovës!
Nevojat e mërgatës janë aq të mëdha sa për trajtimin dhe zgjidhjen e tyre do të ishte e nevojshme jo vetëm Ministria e Diasporës, por edhe një prani e përhershme e trupave punues të saj në vendet me koncentrim të madh të bashkatdhetarëve si Gjermania, Zvicra, Anglia, SHBA-të etj.

Si do të mund të financohet ri ngritja e shkollës shqipe në mërgatë, kur për këtë s’do të ketë mjete materiale? Si do të financohet ngritja cilësore e jetës kulturore dhe e përfshirjes institucionale politike të pjesëtarëve të mërgatës, kur për këtë s’do të ketë destinim të mjeteve financiare, apo kur ato do të jenë simbolike?

Si do të mund të përkrahen pjesëtarët e mërgatës në zgjidhjen e problemeve të tyre juridike të leje qëndrimeve apo problemeve të tjera të integrimit, të të pensionuarve që duan të mbesin edhe më tej në vendet pritëse apo edhe të atyre që duan të kthehen në vendin e prejardhjes, kur për këtë nuk besoj se është menduar fare apo, edhe nëse është menduar, do të mungojnë plotësisht mjetet financiare, sepse ja që Ministria do të shndërrohet në një drejtori!

Si do të hiqet pagesa e sigurimeve të automjeteve në kufi dhe si do të përfshihet Kosova në kartonin e gjelbër, kur për këtë drejtoria e menduar s’do të ketë as numrin e duhur të personelit e as mjetet e duhura për çuarjen përpara të një çështjeje të tillë, etj.?!

Veç kësaj, nëse pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeveritar LVV-LDK, bëhet edhe garancia e zgjedhjes së kryetarit aktual të LDK-së, Isa Mustafa, për kryetar të Kosovës, një ish-funksionari të lartë të LKJ-së, sidomos pas prononcimit të Isa Mustafës në emisionin e përmendur të Baton Haxhiut, do të ishte jo vetëm një nënçmim, por edhe një fyerje e mërgatës.

Koalicioni qeveritar në formim, e sidomos LVV-ja, le të mendojë mirë para se të vendosë për këtë çështje, sepse mërgata, diku më shumë e diku më pak, është potencuar gjate fushatës zgjedhore edhe si një lloj katalizatori dhe gjeneratori i ekonomisë së plandosur të Kosovës.