Paraqitet si polic dhe mashtron qytetarët, arrestohet 42 vjeçari

0
258

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 42-vjeçar, i cili mashtronte qytetarët duke u prezantuar si punonjës policie.

Sipas policisë, i arrestuari është shtetasi me iniciale A.Th dhe që rezulton me precedent të mëparshmëm penal për veprat  “vjedhje” dhe “mashtrim”.

Ka qenë telefonata e një qytetari, i cili ka denoncuar rastin e 42-vjeçarit që lëvizte me armë dhe që prezantonte veten si efektiv i forcave të Policisë Kriminale. Policia gjithashtu sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri të tipit pistoletë, dokumente policie dhe pranga metalike.

Njoftimi i policisë:

Alo 112? Policia arreston një person që mashtronte qytetaret duke u prezantuar si punonjës policie. Shërbimet e policisë të Komisariatit nr.4, pas informacionit të marrë nga telefonata e një qytetari se një shtetas prezantohej si punonjës policie, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin për ndalimin e tij. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Th., 42 vjeç, banues në Tiranë, me precedentë penal për veprat penale “Vjedhja” e “Mashtrimi”.

Në numrin unik 112 ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se në rrugën “Imer Ndregjoni”, një shtetas lëvizte me armë zjarri me vete dhe prezantohej si agjent i Policisë kriminale. Falë reagimit në kohë nga shërbimet e policisë është bërë konstatimi i shtetasit të denoncuar nga qytetarët në bazë të karakteristikave të dhënave.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar këtij shtetasi, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë, një dokument policie me gjeneralitetet A.Th. dhe pranga metalike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë./BalkanWeb