Parashikimi i frikshëm që bëri ministri turk në janar: Presim tërmet 7.5 ballë

0
112

Teksa Turqia po përjeton pasojat e tërmetit 6.6 ballë që goditi vendin mesditën e së premtes, kanë qenë të shumtë ata që kanë rikthyer në vëmendje parashikimin e frikshëm që bëri pak muaj më parë ministri turk i brendshëm Suleyman Soylu. Pas tërmetit të janarit në zonën e Elazig, gjatë një interviste për “CNN turk”, Sulejman Sojlu bëri parashikimin për goditjen e radhës.

“Ne po punojmë seriozisht në skenarin e një tërmeti të pritshëm të mundshëm me madhësi 7.5”, tha Soylu në një transmetim të drejtpërdrejtë, por në fakt ai po i referohej “Tërmetit të Madh të Stambollit” që pritet sipas tij të shkaktojë dëme masive. Ai tha se Ministria e Brendshme ka formuar 28 grupe pune për të vlerësuar planet për pasojat e një tërmeti të mundshëm në Stamboll.

“Ky është një studim kompleks i gjithçkaje, sesi të mbrojmë thesaret në Pallatin Topkapı, për nevojat e qytetarëve tanë në epiqendrat e tërmetit,” do të shtonte Soylu.

Gjatë këtij viti Turqia është goditur nga dhjetëra tërmete, më i dëmshmi ai i Elazig, më 24 janar, me magnitudë 6.7 ballë dhe që la pas 41 viktima dhe mbi 1400 të plagosur. Turqia ka qenë dëshmitare e një tërmeti me madhësi 7.6 ballë në qytetin perëndimor të Kocaeli më 17 gusht 1999 që vrau më shumë se 17 mijë njerëz. /lapsi.al/