Parku i Liqenit në Tiranë, një destinacion i preferuar

Fundjava me diell bashkoi si fëmijët, prindërit e gjyshërit, ashtu edhe sportdashësit pranë Parkut të Madh të Liqenit në kryeqytet. Të gjithë bashkë kaluan momente magjike me lojëra, shëtitje, argëtim e sporte nga më të ndryshmet.

Shëtitje në natyrë, lojëra në këndin e fëmijëve, hapësirë për të lexuar, lojërat për të rritur në fushat shumë-sportëshe, dhe shumë mundësi të tjera për tu kënaqur gjenden pikërisht këtu.

Image result for Parku i Liqenit në Tiranë

Liqeni ofron peizazhe tejet tërheqëse. Në të gjitha orët e ditës do të gjeni plot njerëz që zgjedhin pikërisht këtë hapësirë për të vrapuar apo ecur pranë liqenit artificial që u ndërtua me aksion popullor në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar.

Gjithashtu, parku mban brenda lëndinave dhe shpateve të buta kodrinore, një pjesë së historisë së Tiranës. Prindërit mund t’u tregojnë fëmijëve e adoleshentëve të rinj copëza historie nga memorialet ngritur në këtë park, kushtuar njerëzve të mëdhenj të letrave shqipe, por edhe të të rënëve të huaj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në lëndinat rreth liqenit ngrihet skeleti i transformuar nga diktatura i Kishës së Shën Prokopit dhe jo shumë larg saj shtrihet sipërfaqja ujore e Liqenit. Pak më tutje presin destinacione të tjera argëtimi.

Ky park është shndërruar tashmë në destinacionin e kryeqytetit ku të gjitha grupmoshat kalojnë fundjavat mes natyrës, argëtimit dhe sporteve. /ATSH