Partitë politike nuk e respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore

Vazhdimisht bëhet thirrje për respektimin e kuotova gjinore në listat zgjedhore.

Por edhe në këto zgjedhje duket se nuk është respektuar Ligji për Barazi Gjinore që do të thotë se duhet të jetë përfaqësim i barabartë 50% gra dhe 50% burra.

Blerta Aliu nga KDI ka theksuar se për kundër thirrjeve të vazhdueshme për përfaqësim të barabartë edhe në këto zgjedhje nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

“KQZ ende nuk ka bërë publike listat e certifikuara dhe ende nuk i kemi të njohura përbërjen e listave për secilin subjekt politik. Por nga ana tjetër nga ajo qe kemi pa deri tani nga listat që i kanë bërë publike partitë politike, shumica e partive nuk e kanë përfshire sistemin 50 me 50 por pjesa me e madhe e tyre kanë aplikuar ketë kuotën prej 30 % që i obligon ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Ligji për Barazi Gjinore parasheh që të jenë të përfaqësuara të dyja gjinitë në mënyrë të barabartë. Një element tjetër që ne e vërejmë gjatë fushatave zgjedhore janë edhe hapësirat që subjektet politike ju japin grave nëpër tubime elektorale apo delegimet tek mediat, zakonisht shumica e folësve janë burra. Gjate fushatës elektorale të 2017 as 20 % i folësve nuk kanë qenë gra, pra hapësira që u jepet grave është minimale” ka theksuar ajo.

Ndërsa Luljeta Aliu nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi ( INJECT) ka thënë se këtë vit , lista e kandidatëve nga secila parti politike ka arritur të përfshijë 30% të grave, e cila edhe është kuota e kërkuar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Aliu thekson se në Kosovë Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është i harmonizuar me Ligjin për Barazi Gjinore që kërkon përfaqësim të barabartë të te dy gjinive.

“Këtë vit, lista e kandidatëve nga secila parti politike ka arritur të përfshijë 30% të grave, e cila edhe është kuota e kërkuar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Vlen të theksohet se Kushtetuta e Kosovës garanton qasje të barabartë për secilin qytetar, pa dallime. Mbi të gjitha, neni 22 i Kushtetutës parasheh aplikimin direkt dhe me prioritet të një numri të konventave ndërkombëtare, ndër to edhe Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave. Kjo nënkupton se sipas Kushtetutës duhet të synohet një përfshirje e barabartë mes gjinive, sikurse e kërkon edhe Ligji për Barazi Gjinore. Mirëpo, sikurse shumë çështje të tjera ligjore që mbesin të pa harmonizuara brenda kornizës ligjore në Kosovë, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është i harmonizuar me Ligjin për Barazi Gjinore. Ligji për Barazi Gjinore në nenin 6 thekson se “përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”, deklaroi ajo.

Përfaqësimi përmes kuotës gjinore, edhe pse ka qenë një kërkesë e nevojshme, nuk ka sjellur ndryshimin e dëshiruar dhe të domosdoshëm shoqëror të pozitës së grave në shoqëri ka theksuar Aliu.

Lini një Përgjigje