Pas 31 vjetësh qëndrimi, kosovari dëbohet nga Zvicra

Gjykata Federale: “Ai ka përmbushur kriteret për dëbim jo vetëm me dënimin aktual, por edhe me së paku 26 herët që ai ka rënë në konflikt me ligjin”

“Ai ka ardhur në Zvicër si 14-vjeçar, ka fituar lejen e qëndrimit të përhershëm (Viza C) dhe ka jetuar këtu. Por, ajo që ka filluar në vitin 1988, merr fund 31 vjet më vonë, me dëbimin nga vendi që duhej të ishte bërë atdheu i tij i dytë, por që megjithatë, nuk ishte bërë kurrë i tillë”, shkruan luzernerzeitung.ch, përcjell albinfo.ch.

Shtetasi i Kosovës në vazhdimësi kishte rënë në konflikt me ligjin. Herën e fundit, Gjykata Kantonale e Lucernit e ka dënuar atë në shtator të vitit 2015, për veprat penale si: veprime seksuale me një fëmijë, detyrim seksual dhe detyrim të shumëfishtë. Për këto i ishte shqiptuar një dënim prej dy vjetësh burgim me kusht, dhe me këtë dënim po ashtu i ishte hequr leja e qëndrimit të përhershëm në Zvicër.

Dhjetë vjet më parë, Zyra Kantonale për Migracion i kishte tërhequr vërejtjen, pasi që ai, përveç një numri të madh të dënimeve penale, kishte grumbulluar edhe shumë procedura të përmbarimit (të borxheve të papaguara që ndiqen nga shteti), transmeton albinfo.ch. Ai kishte bërë pastaj përpjekje që të shmangte dëbimin nga Zvicra, por nuk kishte pasur sukses as në Departamentin për Drejtësi dhe Siguri dhe as në Gjykatën Kantonale të Lucernit.

Pastaj ai i është drejtuar me një ankesë edhe Gjykatës Federale në Lozanë, shkallës më të lartë të gjyqësisë në Zvicër, ku ka kërkuar që, në vend të dëbimit, t`i bëhej vetëm vërejtje. Kjo për faktin se, sipas tij, instancat më të ulëta nuk i kanë dhënë rëndësinë e duhur interesave të tij private, pasi që dëbimi i tij rezulton me ndarjen e familjes. Ai është baba i tre fëmijëve.

Gjykata Federale ka pranuar se kjo është një ndërhyrje e madhe në jetën familjare, transmeton albinfo.ch. Dhe, ndonëse interesi i fëmijëve duhet të shikohet me përparësi, interesi publik për dëbimin e një prindi shumëfish të penalizuar mund të peshojë megjithatë më tepër.

Si bazë për heqje të statusit të qëndrimit në Zvicër mjafton një dënim prej më shumë se një viti burg, pavarësisht nëse ai dënim është me kusht ose efektiv. Me këtë rast, gjyqtarët federalë përkujtojnë në vendimin e tyre se ai ka përmbushur kriteret për dëbim jo vetëm me dënimin aktual, por edhe me së paku 26 herët që ai ka rënë në konflikt me ligjin, përcjell albinfo.ch. Shumica e tyre kanë qenë shkelje të rregullave të trafikut rrugor por ka pasur edhe të tjera. Ai ka pasur edhe dënime për shkaktim lëndimi të lehtë trupor, për detyrim të shumëfishtë dhe për privim nga liria.

Në gjithë periudhën 1995-2015 ai vetëm dy vjet ka “pauzuar”, pa marrë ndonjë dënim, kanë llogaritur gjyqtarët. Duke u mbështetur në të gjitha këto, ata kanë konstatuar se “ai, me një përbuzje dhe indiferencë të papranueshme” ka shkelur për vite me radhë sistemin ligjor të Zvicrës. “As marrëdhënia me fëmijët dhe me ish bashkëshorten dhe as tërheqja e vërejtjes lidhur me rrezikimin që po i bënte të drejtës së qëndrimit dhe madje as sanksionet e shumta penale, nuk e kanë ndalur atë për t`u penalizuar më tutje, dhe gjithnjë e më rëndë”.

Kosovari nuk ka arritur të bindë instancën më të lartë të gjyqësisë zvicerane as me argumentimin se delikti i tij i fundit është kryer para pesë vjetësh dhe prej atëherë ai nuk ka kryer asnjë vepër penale. Këtë rrethanë, gjyqtarët e shpjegojnë me presionin nga jashtë të ushtruar mbi të si dhe me procedurën që po rridhte, për heqjen e lejes së qëdnrimit në Zvicër. “Nga kjo nuk mund të nxirret përfundimi se i akuzuari ishte duke respektuar ligjin. Kundër kësaj flet sjellja e tij e deriatëhershme dhe dënimet e tij”, thuhet më tutje në vendim, transmeton albinfo.ch. Shkurt: “Nuk është vetëm pesha e rëndë e delikteve të veçanta, por edhe shpeshtësia ose akumulimi i tyre që flasin pë një interes të konsiderueshëm publik që ai ta braktisë vendin”.

Kështu, gjyqtarët hedhin poshtë ankesën e tij, konfirmojnë dëbimin e tij nga Zvicram, por e lënë një derë gjysmë të hapur për kthimin e tij. Në një kohë prej, sipas rregullit, pesë vjetësh, mund të shqyrtohet dhënia e një leje të re për të, me kusht që ai deri atëherë të ketë dëshmuar se është përmirësuar.

Lini një Përgjigje