Pas transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria ngritë aktakuzë për korrupsion

Pas një muaji e gjysmë të transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” për korrupsionin në prokurimin e Policisë së Kosovës, ku ishte përfshirë zyrtari policor Jeton Menxhiqi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 8 Gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës, në Prishtinë, i pandehuri Jeton Menxhiqi, në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, në numër të prokurimit 214/17/048/111, i cili përfaqësonte Drejtorinë e Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që në tenderin “Furnzim me rroba elegante”, i paraparë në vlerë prej 730.000,00 euro, pasi komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri Menxhiqi, Sabide Beqiri dhe Naim Lahu, pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga operatorët ekonomikë, nga tetë sa kishin konkurruar, nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender.

Gjithnjë sipas aktakuzës, atëherë i pandehuri me qëllim që t’i bënë të mundur operatorit ekonomik “Artius Group SHPK”, që ta fiton tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, më 08.08.2017, në ora 12:42, derisa ishte duke qëndruar në një zyre me çelësin mbi tavolinë dhe në mënyrë të kundërligjshme, pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit, e në kohë të pauzës shkon në Zyrën Prokurimit merr paketën e “Artius Gropu”, ndërron mostrat e rrobave elegante dhe i vendos mostrat e tjera të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në Zyrën e Prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 506.216.20 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i KPRK-së.

Ndryshe, i pandehuri Menxhiqi, në deklaratën e tij në Prokurori, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij dhe është mbrojtur në heshtje.

Ndërsa, sa i përket mbrojtjes së të pandehurit ku i njëjti ka dhënë deklaratë në IPK, në aktakuzë thuhet se ka qenë kontradiktor me vetveten dhe me deklaratat e dhëna nga dëshmitarët e tjerë dhe nuk ka mundur të arsyeton veprimet e tij, respektivisht kërkimi për qëndrim në zyre gjatë pauzës pa arsye, hyrja në zyrën e prokurimit i vetëm, marrja e mostrave të tenderit. Ndërsa, prokuroria është e bindur se ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe posedon prova të pranueshme se vepra penale është kryer nga i pandehuri, i cili mban përgjegjësi sepse ka vepruar me dashje direkte, duke konsideruar se janë manifestuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Linku ku mund ta ndiqni emisionin “Betimi për Drejtësi”, lidhur me korrupsionin në tenderët e prokurimit në Policinë e Kosovës, në të cilin ishte transmetuar rasti i keqpërdorimit të detyrës nga polici Jeton Menxhiqi. https://www.youtube.com/watch?v=px3B2cFollk

Ndryshe, Jeton Menxhiqi njihet si polici, i cili së bashku me zyrtarin tjetër policor, Avni Namani, nën udhëheqjen e prokurorit Kujtim Munishi, kishin hetuar dosjen e manipuluar të provimit ë jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, rast ky që ishte mbyllur për 21 ditë të hetimit preliminar.