Pas vendeve të Quintit, Apostolova kërkon drejtësi për masakrën e Reçakut

0
300

Vendet aleate të Kosovës, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në përkujtim të masakrës së Reçakut, në të cilën u tha se këto vende po punojnë së bashku për drejtësi sa i përket kësaj ngjarje që preku opinionin ndërkombëtar 21 vjet më parë. E për këtë ngjarje, drejtësi ka shkruar edhe shefja e zyrës së BE’së në Kosovë, Natalia Apostolova.

Apostolova me anë të një njoftimi në Twitter, në përvjetorin e 21’të të kësaj masakre ka përkujtuar duke bërë thirrje për drejtësi.

“Përkujtimi i këtyre ngjarjeve të dokumentuara mirë na kujton rëndësinë e paqes, drejtësisë dhe pajtimit. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave. Le të pushojnë në paqe viktimat e kësaj masakre.

Kosova sot po përkujton viktimat e kësaj masakre të rëndë që ndodhi më 15 janar të vitit 1999, ku 45 civilë shqiptarë u vranë nga forcat ushtarake serbe, e për këtë përvjetor kanë reaguar edhe vendet mike të Kosovës, të cilat thonë se janë duke bashkëpunuar për të sjellë sa më shpejt drejtësi dhe paqe për familjet e viktimave dhe të gjithë Kosovën.

“Në nderë të atyre që humbën jetën në Reçak, ne e kujtojmë këtë masakër dhe të gjitha masakrat tjera në Kosovë dy dekada më parë, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për gjeneratat e ardhshme”, thuhet në deklaratë.

Kjo kumtesë u bëri thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë të sigurojnë që viktimat e luftës dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi dhe informacion në lidhje me fatin e të dashurve të tyre.

Kujtojmë se kjo masakër është bërë një nga incidentet kryesore që e shtyu NATO’n të nisë bombardimet për të bërë forcat e presidentit serb, Slobodan Milosevic të tërhiqen nga Kosova.

Ish-shefi i misioni të OSBE’së në Kosovë, William Walker i cili ishte dëshmitari kryesor i kësaj masakre, ka vizituar Kosovën edhe në këtë përvjetor të kësaj masakre, i cili ka komentuar edhe qëndrimet e presidentit të tanishëm serb, Aleksandar Vucic, i cili tha se e gjithë kjo ngjarje është sajuar nga siç e quante ai, mashtruesi global, Walker.

Walker tha se Vucic e di mirë se çfarë ka ndodhur në Reçak, pasi që ishte pjesë e komandës. Sipas Walker, Vucic tashmë mund të iu thotë mbështetësve të tij se një gjë e tillë është e trilluar.

“Jam i sigurt se ai e di se masakra ka ndodhur. Ai ishte pjesë e komandës. Ai mund ta quajë atë që dëshiron. Ai mund t’u thotë mbështetësve të tij se unë jam një mashtrues global, gënjeshtar dhe gjithçka tjetër. Ai ka shumë gjëra më të mira për të bërë në jetën e tij 21 vjet pas këtij akti makabër nga forcat serbe”, tha Walker në një intervistë televizive të hënën në Kosovë. /gazetametro.net