Pasditja vendimtare për qeverinë, takohen Haradinaj, Veseli e Limaj

Pas qëndrimeve të ndryshme, deklaratave të hapura kundër njëri-tjetrit, sot gjatë ditës do të takohen tre partnerët e koalicionit qeveritar.

Taksa ndaj Serbisë është bërë shkak i krizave në të cilat po kalon koalicioni PDK-AAK-Nisma.

Burime të Gazetës Express tregojnë se pas zhvillimeve të fundit, ku kryparlamentari Kadri Veseli deklaroi hapur se ka gatishmëri ‘ta lë në lloç’ kryeministrin Haradinaj, këta të dy, bashkë me kreun e Nismës, Fatmir Limajn, do të zhvillojnë një takim të përbashkët.

Koalicioni qeverisës nuk po pajtohen për shkak të këmbënguljes së kryeministrit Haradinaj të mos e heq taksën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

Ndërsa, kryetari i PDK’së, Veseli, po kërkon që taksa të pezullohet për 120 ditë. Ai ka deklaruar dje se mund të prishet koalicioni, nëse dikush, duke aluduar në kryeministrin Ramush Haradinaj, i rrezikon raportet me SHBA’në.

Kryeministri Haradinaj ka deklaruar dje se nuk ka ndryshuar qëndrim rreth taksës as pas thirrjeve të hapura që po i bën Amerika dhe as propozimit të Veselit që taksa të pezullohet për tre muaj.

Shefi i Qeverisë të hënën i ka dërguar shteteve të QUINT’it një letër ku iu ka treguar kushtet që ai ka për ta hequr taksën.

Tutje, ai dje tha se kushdo që është kundër atyre kushteve, ai nuk e ka problem të prish raportet me ta, madje edhe nëse bëhet fjalë për SHBA’në.

Lini një Përgjigje