PDK-ja në Vushtrri: Xhafer Tahiri, mos i harxho taksat e qytetarëve për luksin tuaj

0
289
Sot në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, anëtarët e kuvendit komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kërkuan nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri që t’i ruaj taksat e qytetarëve, e mos të shpenzoj para për luksin e tij.
Para miratimit të rendit të ditës, Ilmi Azemi, anëtar i kuvendit komunal nga PDK-ja kërkoi nga Xhafer Tahiri që të vjen e të jetoj me qytetarit e tij, e jo të udhëtojë nga Prishtina, e të shpenzojë taksat e qytetarëve.
“Ju kryetar, kur keni kandiduar për kryetar, në formularin e dorëzuar në KQZ keni deklaru se jetoni në Stanoc të Poshtëm dhe në saje të kësaj deklarate jeni certifikuar. Ju rikujtoj se deklarata është zotim”, tha Azemi.
“Unë kam bërë një parallogari të shpenzimeve gjegjësisht të harxhimeve për të cilat kryetari kur ka vendos të kandidoj për kryetar komune kurrë nuk ka thanë se do ti harxhoj. Bëhet fjalë për një vlerë shumë të lartë të mjeteve, që për mandatin 4 vjeçar kap shumën prej 101.425,00€, duke llogaritur shpenzimet e derivateve, mirëmbajtjes dhe amortizimin e makinës, sipas normave ligjore vjetore. Ju tani pa fije keqardhje mendoni të harxhoni paranë e qytetarëve dhe të udhëtoni e të shpenzoni 101.425,00€”, theksoi Azemi, i cili shtoi se nuk ke nevojë të shpenzosh shuma të majme të parasë së qytetarëve për luksin e juaj.
Pasi që Ilmi Azemi e kaloi kohën e paraparë me Rregullore të Punës së Kuvendit dhe Organeve të tij, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Nasuf Aliu ia ndërpreu fjalën. Kurse, fjalimin e tij e vazhdoi Shpëtim Zhegrova, anëtar i kuvendit komunal nga radhët e PDK-së.
“Kryetar ju merrni pagën këtu nga taksat e qytetarëve dhe ju duhet që edhe tatimin në pronë ta paguani këtu. Vushtrria meriton të ketë një kryetar që bashkëjeton me ta , e jo një kryetar turist”, tha Zhegrova.
Në këtë mbledhje, u rishqyrtua vendimi për themelim të Komitetit për Komunitete, ku Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka kërkuar që kriteri gjinor të respektohet në 50%. Në mbledhjen e kaluar, PDK-ja nuk pati propozuar anëtar fare në këtë komitet, pasi që ata pretendonin se u takojnë dy anëtarë dhe me këtë rast, deklaruar se janë ankuar në MAPL lidhur me çelësin në këtë komitet, por edhe në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Lidhur me propozimin për anëtarë në Komitetin për Komunitete, pati disa mosmarrëveshje brenda grupit kuvendar të PDK-së dhe me këtë rast, u propozuan dy emra: Habibe Gërxhaliu dhe Fatmire Saraçi, ku kjo e fundit mori 19 vota dhe u emërua anëtare në këtë komitet.
Po ashtu, në këtë mbledhje, anëtarja e kuvendit komunal, Mejreme Ismajli, nga radhët e PDK-së dha dorëheqje nga ky grup dhe theksoi se tash e tutje do të jem anëtare e pavarur e kuvendit komunal.
Ndërkaq, Nezir Klinaku, anëtar i kuvendit komunal nga Lëvizja për Bashkim tek pika e rendit të ditës: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit për korrigjimin e vendimit  të komunës nr.52/18 i datës 22.02.2018” kërkoi që të bëhet përmirësimi në këtë propozim-vendim dhe të përputhet numri i fletëtreguesit me numrin që gjendet në propozim-vendim, ku me këtë përmirësim edhe u votua.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, lidhur me kthimin e pronave shoqërore, theksoi se kam pasur një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe më premtoi se komunës do t’i kthehen pronat shoqërore. Por, se lidhur me këtë, komuna duhet t’i shpallë zona të interesit të përgjithshëm.

Këto ishin pikat e rendit të ditës që u trajtuan në Kuvendin e Komunës së Vushtrrisë: