Për listat e veteranëve tashmë ka aktakuza, por Veseli bën kërkesë për hetim parlamentar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli si duket qëndron prapa deklarimit për hetim të listave të veteranëve nga Kuvendi, ani pse një gjë e tillë po bëhet nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe nga prokuroritë themelore, transmeton fokusi.info

Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesën për themelim të Komisionit Hetimor Parlamentar, për hetim të “listave të fryra” të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe se do të jem i pakompromis në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit të pushtetit”, thotë Veseli.

Postimi i plotë:

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është shumë e madhe për të abuzuar dikush me të. Ushtarët e UÇK-së nuk kanë luftuar që të përfitojnë për vete, por që të fitojë Kosova, që qytetarët e saj ta fitojnë lirinë dhe perspektivën.

Mashtruesit që kanë fryrë listat e veteranëve janë duke e lënduar emrin e UÇK-së dhe janë duke abuzuar me paratë e qytetarëve tanë. Kjo do të marrë fund. Siç kam premtuar, ne do ta bëjmë një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit të pushtetit.

Prandaj, unë tashmë kam dorëzuar kërkesën për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do ta hetojë çështjen e listave të fryra të veteranëve dhe që ato të pastrohen. Askush nuk do të jetë mbi ligjin”./Fokusi.info/