Për shkak të grevës, bllokadë totale në Aeroportin e Prishtinës

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë që nga ora 08:00 nuk ka ateruar as fluturuar asnjë aeroplan.

Krejt kjo si pasojë e grevës së punëtorëve të Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) sa i përket Ligjit për Pagat.

Fluturimet dhe aterimet do të mund të zhvillohen vetëm pas orës 12:00.

Greva është paralajmëruar që do të vazhdojë, e për këtë i shqetësuar ka reaguar ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, i cili ka thënë se një vendim i tillë për vazhdimin e grevës do të ketë pasoja të mëdha për Kosovën.

Lidhur me situatën e krijuar dhe pamundësisë së ofrimit të shërbimit të navigimit ajror për kohën e paralajmëruar të grevës, Drejtori i ASHNA-së, u kërkon ndjesë pasagjerëve të cilët e shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, për fluturime nga Prishtina dhe anasjelltas.

ASHNA do njoftoj me kohë për zhvillimet e mëtejme lidhur me mbarëvajtjen e operimeve në ditët në vazhdim.