Për vendimin për dyfishimin e numrit të këshilltarëve të Qeverisë së Kosovës dhe për gjendjen në Republikën e Shqipërisë

Shkruan: Shukri Klinaku
1. Dita e djeshme, por edhe e sotmja në Republikën e Kosovës, konsideroj se, është dashur të dominohen nga një aktivitet politik i opozitës, por edhe i qytetarëve me të cilin do të shprehnin kundërshtimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për dyfishimin e numrit të këshilltarëve në qeveri. Qeveria e Kosovës e dominuar nga AAK-ja (partia më klienteliste në Kosovë) ka marrë vendim për rehatim edhe të një numri të klientëve të vet, në kurriz të buxhetit të Kosovës. Dhe krejt kjo, kur? Në kohën kur kirurgët me të drejtë bëjnë grevë për rrogën e tyre të ulët dhe kur SBASHK-u shpalli grevën në arsim. Ndoshta, ky vendim i Qeverisë së Kosovës nuk e rritë aq shumë numrin të punësuarëve të rinj në qeveri, sepse ka mundësi që vendimi është taktizim për votim të buxhetit në Kuvendin e Kosovës. Me fjalë tjera, me këtë vendim disa nga zv/ministrat “degradohen” në këshilltar dhe PSD-ja vlerëson se i është plotësuar kushti dhe votohet buxheti. A pranon të mashtrohet Shpend Ahmeti në këtë mënyrë, pritet të shihet. Pavarësisht nga kjo, qeveria është duke e përdorur buxhetin e Kosovës, jo për destinacionin që ka, por për të qëndruar në pushtet.
2. Dialogu kryemnistër – kryetar në Republikën e Shqipërisë ka shkuar në pikë kritike. Kësaj situate i gëzohen vetëm dy palë – e para, ata që dëshirojnë kaos në Shqipëri, që do të thotë ngecje dhe prapavajtje në zhvillim të shqiptarëve dhe, e dyta, ata, të cilëve u rrezikohen interesat personale (grupi i Ilir Metës).
3. Edhe në situatat e rrezikshme mund të thuhet se kush është më shumë fajtor. Në këtë rast, sipas bindjes sime, ai është Ilir Meta. Sepse ka dalur jashtë mandatit kushtetues dhe është bërë palë në luftën e brendshme politike për pushtet në Republikën e Shqipërisë.
4. Ilir Meta hiqet sikur krejt këtë e bënë për shkak të Kosovës dhe Shqipërisë. Konsideroj se të gjithë ata politikanë, deputetë, gazetarë e qytetarë të Kosovës që mbajtën anë, e që, aq çuditshëm, përlyenë e shanë njerëz, vetëm se kanë ra pre e diabolave të Ilir Metës. Ilir Meta, në këtë rast, aspak nuk e ka hallin e Republikës së Kosovës, as asaj të Shqipërisë.
5. Ilir Meta e di se nuk i ka kompetencat që i ka Macron-i në Francë, as Putini në Rusi, sepse Republika e Shqipërisë nuk është republikë presidenciale; madje as gjysëmpresidenciale (Maqedonia). Ai e di rolin e kryetarit të një republike të pastër parlamentare. Por, halli i vërtetë i tij është LSI-a, prej të cilës është dashur të ndahet prej se ka marrë detyrën e kryetarit të shtetit. Ai e sheh në rrezik partinë e tij, e cila është partia me klienteliste shqiptare (bashkë me AAK-në).
*Parti klienteliste – parti që nuk ka anëtarë të lidhur në një ide, në një program, a histori; por ka vetëm anëtarë që shpërblehen drejtpërdrejt për të qenë anëtar, do të thotë raporti parti – anëtar në një parti klienteliste, është raport padron – klient.