Për Xhemën që na mungon

Shkruan: Mimoza Kelmendi

Me rastin e 20-vjetorit të rënies së Xhemajl Fetahaj në Betejën e Koshares

Sa herë vjen maji dhe kujtojmë ditëlindjen e heroit të betejës së Koshares, dëshmorin Xhemajl Fetahaj, do të shfletojë përsëri edhe librin e Ibish Nezirit “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë” si për t’u ç’mallur edhe më shumë me mikun tonë. Ndaj personalisht i shpreh mirënjohje Ibishit për këtë monografi, sepse përmes këtij libri e kemi Xhemën gjithmonë mes nesh, pasi jam e bindur se të gjithëve na mungon sot. Por edhe për t’na bërë edhe më krenarë me Xhemën që e kishim shok, mik, bashkudhëtarë të rrugës për lirinë e Kosovës.

Sa herë rilexoj librin më duket sikur zbuloj edhe më shumë një Xhemë tjetër edhe më të madh, një personalitet me plot kuptimin e fjalës. Jo vetëm për aktin që ra heroikisht në betejën e Koshares bashkë me shokë të tjerë, por për gjithë jetën e tij që kishte punuar me përkushtim për këtë ditë që gëzojmë ne të gjithë si qytetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Kam pasur fatin të bisedoja shumë herë me të, nëpër udhëtime apo tubime, kishim ngrënë bukë tek njëri-tjetri disa herë, por sinqerisht e paskam njohur pak dhe më vjen vërtet keq që nuk e paskam njohur në këto përmasa. Xhema ishte shumë modest dhe ai kurrë nuk fliste për veten e tij.

Xhema ynë lindi dhe u rrit në fshatin Raushiq në jug të Pejës, ku qysh i ri ai filloi kontaktet me lëvizjen ilegale duke hedhur hapat e tij të parë në veprimtarinë e organizuar të asaj kohe. “Armët dhe librat ishin dy gjërat e dashura për mua, ishin ushqimi im shpirtëror që më mbante dhe më ushqente”, shkruante Xhemajli.

Ai ishte 17 vjeç kur u zhvilluan demonstratat e ‘81. Pikërisht nën frymëzimin e këtyre ngjarjeve që tronditën botën, Xhemajli do të fillojë me të afërmit e familjes së tij të shkruajnë parullat e para “Kosova Republikë” dhe më pas, ditë pas dite e muaj pas muaji, ai bashkë me shokët do të bëheshin mjaft aktivë në këtë zonë të Pejës me një sërë veprimtarish që ranë në sy të ish shërbimit sekret jugosllav, UDB-ja, ku si pasojë, në janar të 1984 do të burgosej bashkë me shumë shokë të tjerë. 6 vjet burgim vendosi në atë kohë Gjykata e Qarkut të Pejës për heroin Fetahaj. E bashkë me të edhe anëtarë të tjerë të familjes Vehbi, Demë, Muharrem e Miftar Fetahaj. Dënimi i pesë djemve nga kjo familje ishte një goditje e madhe për prindërit dhe të afërmit, por nga ana tjetër pati edhe efektin e saj pozitiv në gjithë rrethinën e Pejës e më gjerë.

Shpirti prej luftëtari, Xhemajlin nuk e linte të qetë. Ai as në burg nuk heshti, por gjithmonë kundërshtonte autoritetet serbe. Pas daljes nga burgu në vitin 1988, përveç veprimtarive politike, ai do të ishte një pjesëmarrës aktiv edhe në aksionin e pajtimit të gjaqeve. Madje këtë aktivitet e nisi në fshatin e tij Raushiq ku dy familje ishin në hasmëri. Më pas në Kosovë situata u bë mjaft e rrezikshme veçanërisht për njerëz si Xhemajli që e kishin në shënjestër për çdo hap që hidhte. Ndaj e vetmja rrugë ishte largimi i përkohshëm nga vendlindja dhe qëndrim në Gjermani, ku prej janarit 1991 ai do të vendosej fillimisht në Dyseldorf e pastaj në Mönchengladbach. Pikërisht këtu Xhemajli do të mbajë shënime në ditarin e tij:

“Njeriu me durim të madh mund të shpresojë se një ditë do ta arrijë atë që e dëshiron dhe mendon, por durimi dhe mjeshtëria e të duruarit janë një lloj arti i komplikuar, një teknikë që kërkon mund e sakrifica të mëdha”.
Janë pikërisht këto fjalë të shkruara nga Xhema që tregojnë edhe një herë besimin e tij dhe shumë bashkëudhëtarëve të rrugës së tij se një ditë Kosova do të ishte e lirë.

Si çdo njeri edhe Xhemajli kishte dëshirën e tij për të krijuar familje, strehën e ngrohtë me gruan dhe fëmijët. Besa ishte dashuria e tij e madhe që i besoi gjithçka deri në ditën e fundit, i besoi fëmijët e tij (Arjanin e vogël 2 vjeç dhe Erëzen ende të pa lindur) që nuk i gëzoi, por i bindur se ata do të kenë pranë nënën e duhur. Ndaj nuk mungojnë edhe vargjet që i shkruan asaj në momente të caktuar. Në ditar do të lexojmë një sërë shkrimesh, fragmente meditimesh apo qëndrimesh për situatën në Kosovë, Ai e vuante largimin nga Kosova që sipas tij e bënte të kishte trupin në Gjermani e mendjen në atdhe. Ja disa vargje:

PO
Shpirtin ma mban shpresa
se pushka kushtrimtare një ditë do kërcasë
e të gjithë ata që zemra shqip iu rreh
do të kthehen prapë në atdhe.

Në gjithë veprimtarinë e Xhemës, një rol të madh ka luajtur Shqipëria. Ai si shumë bashkëkohësit e tij e shihnin Shqipërinë si një burim shprese e frymëzimi për të ardhmen e Kosovës. Ndaj të gjithë e donin edhe pa qenë kurrë atje, sepse shihnin vendin e vëllezërve dhe motrave të një gjaku, pavarësisht diktaturës që vuanin njerëzit. Ai dëgjonte rregullisht Radio Tiranën, emisionet në shqip dhe ngazëllehej:

“tani tingujt e Radio Tiranës janë duke me shoqëruar. Ah ky zëri i Shqipërisë gjithmonë ma ka ngrohur gjakun. Edhe tani më bën më të fortë, më jep forcë e nuk më lë të topitem”; shkruante heroi ynë.

Ibish Neziri, autori i librit por dhe mik e bashkudhëtar i rrugës së Xhemajl Fetahaj e ka pasur fatin dhe privilegjin të punojë për këtë hero, sepse ai i kishte lënë pas shumëçka konkrete, pa qenë nevoja për t’i zmadhuar e zbukuruar të vërtetat e tij, e gjitha jeta e tij ishte një vepër e madhe, edhe pse dikush mund të jetë munduar ta kalojë në hije atë.

Xhemajl Fetahaj i takon njerëzve të jashtëzakonshëm të Kosovës, sikurse Adem Jashari, Fehmi e Xhevë Lladrovci e shumë të tjerëve, të cilët rrugëtimin e tyre patriotik e nisën qysh të rinj në bankat e shkollës duke braktisur gjithçka nga ëndrrat e tyre për të luftuar për një Kosovë ndryshe.
Xhemajli mbeti i thjeshtë deri në vdekje, i prerë ashtu si në bisedën me gazetarin gjerman, i saktë me pak fjalë, por i madh me veprën e tij.

(Marrë nga Epoka e Re)

Lini një Përgjigje