Përfaqësuesja e Kosovës mposht Bullgarinë në konkurrencën e femrave

Përfaqësuesja e Kosovës e ka mposhtur sërish Bullgarinë në miqësore, ku kësaj radhe kanë fituar me rezultat të thellë 4-1.  
Ekipi i Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë miqësore kundër Bullgarisë, që u zhvillua sot (e enjte) në Qendrën Stërvitore “Boyana” në Sofje.
Edhe në ndeshjen e sotme vashat e drejtuara nga përzgjedhësja Afërdita Fazlija, e mbizotëruan plotësisht lojën, ndonëse të parat në epërsi kaluan bullgaret në minutën e tetë.
Megjithatë, ky gol i hershëm i vendasve nuk e zmbrapsi dëshirën e futbollisteve tona për të dëshmuar cilësi, sidomos në pjesën e dytë, ku u treguan tejet efikase duke shënuar tri gola.
Për golin e barazimit u përkujdes Flaka Asllanaj, e cila shënoi për 1-1 në minutën e 49-të, kurse Kosovën në epërsi e kaloi Kaltrina Biçkaj, me golin e shënuar në minutën e 60-të.
Ndërkohë, për fitoren bindëse të vajzave tona u përkujdesen Besiana Reçica dhe Leonora Ejupi, të cilat shënuan nga një gol në minutat 71, përkatësisht 78-të.