Përfaqësuesja nis sot vitin që shpresohet të jetë historik

0
217

Në vendin që e organizon Botërorin e ardhshëm, nis rrugëtimi i përfaqësueses së Kosovës në futboll për vitin 2020.

Të mërkurën (sot) nis grumbullimi i përfaqësueses në Doha të Katarit, ku të dielën më 12 janar zhvillohet miqësorja me Suedinë. Pikërisht në Katar organizohet Kampionati i ardhshëm Botëror i futbollit, në vitin 2022, shkruan sot Koha Ditore.

Ishte bërë bujë kur Katarit i ishte dhënë e drejta e organizimit të Botërorit të futbollit, ngjarjes shumë të popullarizuar. Ende ka nëpër botën e futbollit shumë të tillë që dyshojnë në aftësinë e Katarit për të organizuar një Botëror të suksesshëm.

Por të gjitha përfaqësueset serioze, duke përfshirë edhe Kosovën, e kanë synim të vizitojnë Katarin dhe të luajnë në këtë vend në vitin 2022.

Botërori 2022 mbetet synim më i largët i Kosovës, por kampi në Katar pritet t’i shërbejë atij. Përzgjedhësi Bernard Challandes dhe stafi i tij do të testojnë lojtarë të Superligës së Kosovës dhe lojtarë të klubeve të huaja që besohet se janë me potencial për vend në përfaqësuese.

Synim i parë dhe i madh i Kosovës është të sigurohet bileta për kampionatin evropian, që këtë vit mbahet në shumë shtete të Kontinentit të Vjetër.

Kosova është dy fitore larg Evropianit, që do ta bënte 2020-n vit tjetër historik për futbollin kosovar. Fillimisht, Kosova më 26 mars do të përballet me Maqedoninë Veriore në Shkup, në gjysmëfinale të plejofit të Ligës së Kombeve.

Nëse e fiton atë ndeshje, më 31 mars luan në finale të plejofit ndaj fituesit të ndeshjes ndërmjet Gjeorgjisë e Bjellorusisë. Prapë Kosova do të ishte mysafire, por rezultatet e arritura gjatë 2019-s kanë mbushur tifozët me besim.