Përfundon rishikimi i Kodit Penal të Kosovës

0
346

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ka përfunduar rishikimi i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe nga sot është në fazë të konsultimeve publike.

Sipas ministrit të Drejtësisë, Kodi Penal i republikës së Kosovës është në përputhje të plotë edhe me standardet evropiane dhe shënon një hap përpara në reformimin e drejtësisë.

Postimi i ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, në Facebook:

Të nderuar qytetarë,

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se njëri nga proceset më të rëndësishme legjislative të zhvilluara gjatë kësaj periudhe nga Ministria e Drejtësisë, rishikimi i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, tashmë ka përfunduar dhe nga sot është në fazë të konsultimeve publike. Projekt-Kodi Penal i Republikës së Kosovës, bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe konsideratës më të lartë të parimeve humane. I njëjti është hartuar dhe është në përputhje të plotë edhe me standardet evropiane dhe shënon një hap përpara në reformimin e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Prandaj, për qëllime të transparencës së procesit si dhe ngritjes së cilësisë së përmbajtjes së këtij akti, e mirëpres dhe ju ftoj të jepni kontributin tuaj përmes propozimeve dhe sugjerimeve deri me datën 13 mars 2018″.