Përkeqësimi i raporteve Kosovë-SHBA, Vuçiq: Pa Amerikën, e ardhmja e Serbisë nuk është e mundur

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është deklaruar pas vizitës së tij në SHBA ku është takuar me krerë të shtetit amerikan.

Ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale është shprehur se Amerika e shikon me një sy tjetër Serbinë, shkruan lajmi.net.

“A e shikon Amerika – Serbinë me një sy ndryshe nga se ishte disa vjet ose dekada më parë? Kjo është e pashembullt. Ne duhet të kuptojmë se cili është vendi ynë në botë, të dimë se sa i madh dhe sa i fortë ësht vendi ynë, ekonomia jonë dhe t’i vendosim qëllimet tona”, ka shkruar Vuçiq.

Më tutje, Vuçiq është shprehur se nuk duhet të mbahet zi për të kaluarën, duke deklaruar më tutje se qëndrimi miqësor i Amerikës ndaj Serbisë është thelbësor për të ardhmen e Serbisë.

Madje, ai ka thënë se e ardhmja e Serbisë, nuk është e mundur pa SHBA-të.

“Nuk do të mbajmë zi siç kemi bërë më parë. Mos të bëjmë gabime të mëdha siç kemi bërë, të kujdesemi për atdheun tonë dhe të shqetësohemi për të ardhmën. Por pa qëndrimin miqësor të SHBA-ve ndaj Serbisë, nëse nuk e kemi Amerikën në anën tonë, në anën e së ardhmes së Serbisë, kam frikë se nuk është e mundur”, tha Presidenti i Serbisë pas përfundimit të vizitës së tij në SHBA.

Kjo deklaratë e presidentit serb vjen në kohën kur qeveria e re në Kosovë ka pasur probleme me SHBA-të duke shpërfillur rekomandimet e tyre për heqjen e tarifës 100 për qind.