Përkujtohen dëshmorët Skender Rexhepi dhe Fitim Duraku (Video)

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj është mbajtur akademi përkujtimore në 20-vjetorin e rënies së dëshmorëve Skender (Murat) Rexhepi dhe Fitim (Islam) Duraku, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj përmendi kontaktet e para me dëshmorin Skender Rexhepi, sipas tij, ai vinte në zonën e Dukagjinit për të lidhur kontaktet mes zonave.
“Vepra e tij me lidh luftën ka pas rëndësi shume sepse zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës jo që kemi pas komunikim të mjaftueshëm në raste të caktuara kur kishim detyra me shkuar në zonën tjetër nuk kishin kontakt dhe të gjithë shkonim pa asnjë garancë me ardhjen e tij ndryshoi gjendja kemi biseduar se si mundemi mu siguruar që nga ana tjetër na sheh në atë kohë nga zona jonë i kemi dhënë disa pajisje luftarake që përmes se cilave ka sinjalizuar lidhje të armikut dhe krijuam traditë”, u shpreh Haradinaj, raporton EO.
Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se këta dy dëshmorë që po përkujtohen sot kanë qenë nismëtar të luftës dhe me vullnetin e tyre iu bashkuan luftës për liri.
“Ata qenë nismëtar të luftës dhe nuk pritën ftesa nga tjerët por ftuan të tjërët që të iu bashkohen luftës. E ndjejmë obligim të japim gjithcka nga vetja për të dhënë atë që ata kanë kërkuar gjatë jetës”, tha ai.
Altin Rexhepi në emër të familjarëve, falënderoi pjesëmarrësit në këtë akademi që kanë ardhur në kujtim të dy dëshmorëve në 20 vjetorin e rënies së tyre.
“Amanetin duhet të jetësojmë më shumë e të i kujtojmë gjithherë dëshmorët tanë, shtyllat më të fuqishme të atdheut”, shtoi Rexhepi.