Përkujtohet në Mitrovicë dëshmori Avni Hajredini “Koshtova”

Në 18 vjetorin e rënies, në Mitrovicë u përkujtua dëshmori Avni Hajredini “Koshtova”.

Sipas komunikatës së Komunës së Mitrovicës, në pllakën përkujtimore ku u vra Avni Hajredini, nga ushtarët e KFOR-it, në veri të lumit Ibër, në “Lagjen e Boshnjakeve” dhe tek varrezat e dëshmoreve në Shipol, u vunë lule të freskëta dhe u bënë homazhe nga familjarët e dëshmorit, nënkryetari Faruk Mujka, drejtorët komunal, përfaqësues të lagjes dhe qytetarë të tjerë.

Nënkryetari Mujka duke folur për këtë figurë emblematike të luftës për çlirimin e vendit dhe vendosmërisë e përkushtimit për të mbrojtur edhe pas përfundimit të luftës shqiptarët e pjesës veriore të Mitrovicës nga sulmet e vazhdueshme të bandave serbe, tha se dëshmori Hajredini ishte njëri nga luftëtarët më trima dhe më të vendosur për të mbrojtur vendin.

Për kontributin e dëshmorit Avni Hajredini për çështjen kombëtare dhe për çlirimin e vendit e të Mitrovicës, folën edhe familjarët e tij.
Dëshmori Hajredini ishte vra më 13 shkurt të vitit 2000 në “Lagjen e Boshnjakëve”, në veri të qytetit të Mitrovicës, në momentin kur po kalonte nëpër lumin për të dalë në veri në mbrojtje të shqiptarëve që ishin sulmuar barbarisht nga bandat kriminale serbe duke ushtruar terror të vërtetë mbi ta dhe po ndiqeshin nga shtëpitë e tyre./Fokusi.info/