Përmbytjet në Shkodër, FA në gatishmëri për të ndihmuar banorët

Forcat e Armatosura vazhdojnë të jenë të angazhuara për t’u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar në zonën e Nënshkodrës me mjete të transportit rrugor dhe varka, shpërndarjes së ndihmave, çadrave dhe seteve për familjet që po evakuohen.

Në mënyrë progresive, që prej 5 Marsit e deri tani, forcat e armatosura kanë realizuar: transportimin e 850 personave, mbi 900 pakove ushqimore, 2860 litra ujë, si dhe kanë angazhuar 324 forca.

Gjatë ditës së sotme janë evakuuar 34 familje, ndërkohë që përparësi i është dhënë edhe evakuimit të bagëtive në zonat e prekura nga uji.

Bashkia Shkodër

Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 80 ha. Pas inspektimeve më të fundit rezulton se në rrugën “Et‘hem Kazazi” ka prezencë uji dhe në një segment rruge ka vështirësi kalimi. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre.

Në lagjen Ajasëm janë rreth 80 dynym tokë e mbuluar nga uji dhe si pasojë 5 familje, të cilat mbajnë rreth 100 krerë bagëti kanë vështirësi në sigurimin e ushqimit për to.

Kampi i romëve pranë Prokurorisë Shkodër është i përmbytur. Bashkia Shkodër ka marrë masat e nevojshme për zhvendosjen e fëmijëve në Qendrën Komunitare Nr 4 dhe po kujdesen për fëmijët me veshmbathje dhe ushqim. Në bashkëpunim me Forcat e Ushtrisë, me dy kamionë po bëhet evakuimi i të rriturve në strehimin përkatës në Bërdicë.

Njësia Administrative Dajç

Deri në këto momente, janë mbi 940 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit: Fshati Mushan (kënetë dhe argjinaturë) 290 ha, fshati Shirq 280 ha, fshati Suka-Dajç (kënetë) 90 ha, fshati Dajç (kënetë) 110 ha, fshati Darragjat 90 ha, fshati Samrisht i Ri 25 ha, fshati Samrisht i Vjetër 20 ha, fshati Pentar 20 ha, fshati Belaj 10 ha , fshati Rrushkull 5 ha, Kalimi bëhet i mundur me mjete të larta.

Nga përmbytjet janë dëmtuar kultura të dyta foragjere, jonxhë, bimë dekorative dhe të tjera si më poshtë:

Foragjere dhe jonxhë 415 ha, bimë dekorative 28 ha, vreshta 0,5 ha, grurë 29 ha.

Në fshatin Shirq janë të bllokuara nga uji 28 familje, në fshatin Mushan 4 familje dhe në fshatin Darragjat 4 familje. Në 3 banesa ka prezencë uji.

Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit.

Njësia Administrative Ana Malit

Niveli i ujit është rritur me 30 cm krahasuar me një natë më përpara. Në fshatin Obot kalohet vetëm me varka. Është bllokuar kalueshmëria në rrugën e Goricës. Një fadromë do të hapë rrugën në kodër, rrugë e vjetër.

Mbi 1200 ha tokë janë të përmbytura: Fshati Muriqan 420 ha, fshati Oblikë 580 ha, fshati Obot 200 ha. Niveli i ujit ka pësuar rritje dhe ka tendencë rritjeje. Nga sipërfaqja e mësipërme, sipërfaqja e mbjellë me kultura bujqësore vlerësohet në 890 Ha.

Njësia Administrative Bërdicë

Janë mbi 530 ha tokë e përmbytur e ndarë sipas fshatrave si më poshtë:

Fshati Trush 260 ha, fshati Bërdicë e Madhe 200 ha, fshati Bërdicë e Mesme 100 ha, fshati Bërdicë e Sipërme 70 ha.

Nga përmbytjet janë dëmtuar kultura të dyta foragjere, jonxhë, etj.

Njësia Administrative Rrethina

Janë të përmbytura 70 ha tokë e ndarë sipas fshatrave si më poshtë. Në fshatin Zues janë të përmbytura 70 ha tokë, nga të cilat 10 ha ndodhen poshtë fshatit Zues dhe 60 ha tokë e këtij fshati në fushën e Oblikës. Nga këto janë jonxhë dhe foragjere 40 ha. Në zonën e Livadheve janë 17 shtëpi të rrethuara nga uji.

Njësia Administrative Guri i Zi

Konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore. Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës. Specialistët e bashkisë janë në terren, dhe po bëjnë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara./ATSH/

Lini një Përgjigje