Përmes Lutfi Hazirit, LDK po përpiqet ta rrisë pazarin për koalicion me VV-në

0
127

Edhe pse po mundohen të arrijnë një marrëveshje për koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë nisur thumbimet ndaj njëra-tjetrës.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri së fundi tha se asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme, pasi sipas tij sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Madje, ai tha se emri i kryeministrit të ri kalon nëpër zyret e LDK-së.

“Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK-së”, tha Haziri.

Deklaratave të tij, iu kundërpërgjigj kandidatja për deputete nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu.

“Ajo që tashmë është e qartë… emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor”, tha Haxhiu.

Këto deklarata të Hazirit, analisti Imer Mushkolaj, thotë se po bëhen për të rritur pazarin e marrëveshjes për koalicion.

“Deklaratat e Hazirit bëhen më shumë për rritje të pazarit në marrëveshjen për koalicion, tek e fundit pyetja thelbësore në këtë rast është se cila është alternativa e LDK-së nëse nuk arrinë marrëveshje me VV-në”, ka thënë Mushkolaj për lajmi.net.

Sipas tij, në çfarëdo varianti, LDK do dal humbëse, pasi nëse nuk arrihet marrëveshje vendi do detyrohet të shkojë edhe një herë në zgjedhje.

“Besoj se në çfardo varianti LDK do dal humbëse nëse nuk arrin këtë marrëveshje. Kjo për shkak se konsideroj se LDK mbetet në opozitë dhe atëherë shkohet në zgjedhje të reja, kjo do të ishte një goditje për LDK-në dhe pse nuk besoj se do veprojnë në këtë mënyrë por këto deklarata unë i shoh si përpjekje që me një gurë të vriten dy zogjë”, ka deklaruar Mushkolaj.

Po ashtu, Mushkolaj ka theksuar se përmes Hazirit, LDK po përpiqet ta rrisë pazarin në kuptimin e futjes së postit të presidentit në marrëveshjen me VV-në.

Përkundër këtyre deklaratave, grupet punuese të VV-së dhe LDK-së kanë vazhduar takimet edhe sot.