Përparim Rama ia jep Edi Ramës “Çelësin e Qytetit”: Tash mund të vij pa marrë leje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është nderuar me “Çelësin e Qytetit”, të cilin kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ia dha atij sot.

Rama tha se ndjehet i nderuar që e mori Çelësin “nga Përparim Rama, Kryetari i Komunës së Prishtinës, kryeqytetit tjetër të shqiptarëve”.

Kur e mori Çelësin në dorë Rama tha se “tani është e sigurtë që mund të vij pa marrë leje”.

Në konferencën e përbashkët që patën, kryeministri Rama tha se politika e jashtme e Kosovës është bërë e brendshme.

Në një konferencë për mediat me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se kjo tendencë po thellohet më shumë.

“Kjo ka qenë arsyeja që unë kam qenë sot këtu. Përparimi kishte kohë që më kishte ftuar. E mori vesh se këtu ….thashethemi i shqiptarëve është më i shpejtë se 4G. Ajo që ju pyetët ishte reflektim mbi atë që ka qenë periudhë sipas meje më e suksesshme e politikës së jashtme të Kosovës, ku Ibrahim Rugova, pavarësisht peshës që kishte, u bë pjesë e barabartë e një ekipi që përfaqësonte të gjithë politikën në Kosovë dhe ai ekip përballoi me shumë sukses disa raunde të lidhura me historinë e re të Kosovës…duke shprehur keqardhjen që për fat të keq politika e jashtme është bërë e brendshme, një tendencë që thellohet më shumë, që mund të sjellë më shumë vota këtu, por i bën më shumë dëm Kosovës jashtë”, tha Rama.

Ai iu bëri thirrje investitorëve në Kosovës që të vijnë të investojnë edhe në Shqipëri.

Kreu i qeverisë tha se ata nuk duhet të ndihen si investitorë të huaj por duhet ta konsiderojnë Shqipërinë si shtëpi të dytë.

“Më vjen mirë që kohët e fundit ka një numër në rritje sipërmarrësish nga Prishtina por edhe komuna të tjera të Kosovës që interesohen për të investuar në Shqipëri.

Përfitoj nga rasti t’ju them edhe të tjerëve që Shqipëria është shtëpia juaj dhe ju nuk jeni investitorë të huaj në Shqipëri por jeni investitorë shqiptarë. Punët po shkojmë shumë mirë për investimet, turizmin.

Të gjitha ata që po vijnë si turistë, sipërmarrës, dëshiroj të shoh gjithmonë e më shumë sipërmarrës nga Kosova që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri në çdo sektor që ata dëshirojnë”, tha Rama.

Lini një Përgjigje