Përplasja ndërmjet Thaçit e Haradinajt gjatë takimit me amerikanët

Takimi i zhvilluar të mërkurën ndërmjet zyrtarëve të lartë amerikan dhe liderëve të vendit, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj ka kaluar si mos më keq.
Gazeta Blic nga burime të afërta me takimin ka mësuar për një takim të rëndë. Madje, turpërues para amerikanëve.
Sipas burimeve të Gazeta Blic presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj janë përplasur shumë ashpër verbalisht ndërmjet vete.
Mësohet se i pari i vendit, Hashim Thaçi është i pari ai, i cili ka provokuar.
“Thaçi nisi provokimin, duke folur keq për Ramush Haradinajn sikur ai të mos ishte fare në takim. Para dy zyrtarëve amerikan e kishte quajtur Haradinajn anti-amerikan dhe si një njeri që po do ta prishë Kosovën me SHBA-të”, thonë këto burime.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit.
Sipas këtij burimi, Haradinaj i ka reaguar Thaçit duke i thënë se ai ka probleme të veta, duke mos i interesuar fare shteti i Kosovës.
“Haradinaj i ka thënë Thaçit se ai e ka frikën e tij nga Gjykata Speciale dhe nuk i intereson fare fati i Kosovës”, tha ky burim.
Gjithnjë sipas këtij burimi të afërt me takimin e liderëve me dy zyrtarët amerikan, përplasja e tyre ka vazhduar për disa minuta, duke habitur edhe ata.
“Përplasja dhe akuzat e kundër akuzat ndaj njëri tjetrit kanë vazhduar për disa minuta”, tha ky burim.
Zyrtarisht as nga Kryeministria e as nga Presidenca nuk kanë dashur të komentojnë për këtë përplasje ndërmjet dy liderëve të vendit.
Siç merr vesh Gazeta Blic, nga zyrtarët amerikan ky takim është cilësuar si tepër i rëndë.
Ndërkohë, zyrtarët amerikan në këtë takim kanë kërkuar heqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.
Madje, siç merret vesh, ata kanë kërcënuar për një tërheqje si në rastin e Sirisë, pra tërheqje të Ushtrisë.
Madje, sipas asaj që i është thënë Gazetës Blic nga burime brenda takimit me deputetët opozitarë, zyrtarët amerikan kanë thënë se kushti i vetëm i SHBA-së, është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.