Pesë arsye kryesore pse Real Madridi mund ta shes Gareth Bale

Sipas Marcas, janë 5 arsye kryesore se pse Real Madridi mund ta shesë Gareth Bale verën e ardhshme:

1. Ndryshimi i ciklit (drejtuesit mendojnë se ka ardhur koha të bëhet rotacion në skuadër, sidomos në sulm dhe nëse ndodh kjo, i pari që preket nga sulmuesit është pikërisht uellsiani).

2. Lojtari është i mërzitur (3 nga 4 ndeshjet e fundit i ka nisur nga stoli dhe ka marrë pak minuta lojë. Zizou nuk e aktivizoi titullar as në ndeshjen ndaj PSG. Edhe në transfertën e Leganes, uellsiani dukej shumë i mërzitur në stol, i ndarë nga skuadra).

3. Dëmtimet (Një nga lojtarët që ka më shumë probleme me dëmtimet, plot 25 dëmtime që kur ka ardhur në Madrid, ka humbur mbi 70 ndeshje për këtë shkak, 3 dëmtime këtë sezon. Nga ky shkak, Bale nuk po gjen vazhdimësi në lojë).

4. Nuk ka përmbushur objektivat (Erdhi në Madrid për të qenë pasardhësi i Cristiano Ronaldos dhe për të fituar Topin e Artë një ditë, por nuk ndodhi as njëra e as tjetra. Këtë vit nuk ishte as në mesin e 30 të nominuarve. Pavarësisht se vetë lojtari aspiron të bëhet lojtari më i mirë në botë, realisht është shumë larg këtij fakti. Duke përjashtuar sezonin e parë, në sezonet pasardhëse forma e tij ka qenë gjithmonë në rënie).

5. Akoma mund të përfitohen para për të (Tek Reali drejtuesit mendojnë ‘ose tani, ose kurrë’. Ata e kanë të qartë se sa më vonë ta shesin, aq më shumë do t’i bjerë çmimi. Momentalisht ka klube që do ishin të gatshme të paguanin 100 milionë euro për Gareth Bale).