Petkoviq: “Me miratimin e Statutit të Trepçës, Kosova po e do dëbimin e serbëve”

“Kosova po dëshiron ta dëbojë popullin serb dhe kjo shihet me miratimin statutit të Trepçës”.

Kështu ka deklaruar ndihmës drejtori i të ashtuquajturës Zyrë e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq.

Ai ka shtuar se Serbia do të bëjë çdo gjë që “Trepça – veri” të vazhdojë së funksionuari.

“Qeveria e Serbisë vjet e ka miratuar vendimin që të fillohet me realizimin e fabrikës së akumulatorëve me vlerë 14 milionë euro, të ndihmohen ndërmarrjet dhe punëtorët përmes resorëve të ministrive dhe të Zyrës për Kosovën. Po i bëjmë të gjitha ato që na përkasin në mënyrë që ta ruajmë kombinatin, i domosdoshëm për ekzistimin popullit serb në Kosovë”, citon b92 të ketë thënë për RTS-në Petkoviq

Sipas tij, “po përsëritet skenari si në vitin 2016, kur në Kuvendin e Kosovës dy orë pas mesnate deputetët e miratuan Ligjin për Trepçën që parasheh konfiskimin e pasurisë së shtetit të Serbisë e me të cilin Qeveria e Kosovës u bë pronare e 80 për qind të tërë pasurisë dhe kapitalit të këtij kombinati”.

Disa ditë pas miratimit, Qeveria serbe kishte marrë vendimin për anulimin e Ligjit si dhe të efekteve juridike që dalin nga ai, e njëri nga vendimet ishte të nxirrej statuti për ndërmarrjen e re “Trepça sh. a.” në sistemin e Kosovës me të cilin hapen dyert për implementimin e këtij Ligji.

“Kur të formohet ndërmarrja e re, strukturat e tashme udhëheqëse dhe njësitë organizative pushojnë së ekzistuari. Kjo do të thotë, të gjithë e kanë të qartë, se duan t’i bllokojnë llogaritë e ta ndalojnë prodhimin dhe eksportimin e koncentrateve të plumbit e zinkut nga të cilët ‘Trepça – Veri’ jeton”, ka thënë Petkoviq, transmeton Koha.net .

Sipas fjalëve të tij, fakti se statuti parasheh menaxhment të ri , fizikisht nuk do të mund të realizohet, sepse, ka thënë ai, “Trepça – Veri ” është në Leposaviq, ndërsa minierat më të rëndësishme Kodra e Bardhë dhe Cërnaci (Belo brdo dhe Crnac) janë përgjatë kufirit me Serbinë.

Petkoviq ka thënë se megjithatë ekziston rreziku se do të bllokohen llogaritë dhe kështu të vihet në pyetje eksportimi i prodhimit e me këtë edhe vetë ekzistimi i Trepçës si dhe pagat për 3.000 punëtorë.