Petkoviqi pretendon se Kosova po “shkakton kriza”

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka kritikuar sërish Kosovën gjatë takimit me ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it dhe kreut të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, duke thënë se Kosova është “fajtorja e vetme që shkakton kriza”.

Sipas njoftimit të Zyrës që udhëhiqet nga Petkoviq, rundi i ri i dialogut në Bruksel do të mbahet javën e ardhshme dhe tema kyçe do të jetë sërish vendimi i Kosovës që të ndalojë përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë takimit me diplomatët nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe BE-ja, Petkoviq tha se çështja e përdorimit të dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe theksoi “gatishmërinë e Beogradit që nga fillimi i këtij procesi për të gjetur një kompromis, një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme”.

Ai shtoi se Kosova po vendos “kushte të pamundshme dhe pengesa” me “qëllim që të mos arrihet kompromis dhe të thellohet edhe më tej kriza”.

Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza për dështimin që deri më tani të arrihet një zgjidhje në dialogun në Bruksel, teksa BE-ja pret që palët të gjejnë një zgjidhje bazuar në propozimin e të dërguarit të posaçëm të bllokut, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit të radhës që mbahet në mes të majit.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë më 29 prill se palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre dhe propozimet gjatë takimeve të kaluara, duke shtuar se propozimi i BE-së synon “një zgjidhje kompromisi”, teksa u bëri thirrje palëve që ta pranojnë atë.

Megjithatë, Stano nuk specifikoi se për çfarë zgjidhje bëhet fjalë.

Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për popullsinë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që preket nga vendimi.

Serbët në Kosovë, për vite të tëra, pranojnë pagesa me dinarë nga buxheti i Serbisë.

Gjatë takimit me QUINT-in dhe BE-në, Petkoviq po ashtu tha se Beogradi nuk do të heqë dorë nga kërkesa që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai tha se Asociacioni “është parakusht për t’u siguruar të drejtat individuale dhe kolektive të serbëve” në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin – më 2013 dhe 2015 – por, Prishtina ende nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.

Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Lini një Përgjigje