Pjesë përditshmërie

Shkruan: Myrvete Musa

Derisa po përpiqesha t’i kujtoja fytyrat e nxënësve të mi duke bërë përgatitjen e orës mësimore, im bir për një çast m’i ndërpreu mendimet, m’u afrua dhe më tha:

– Nënë, kam një detyrë për nesër dhe nuk po e kuptoj mirë, a mund të më ndihmosh?

Fjalët e tij i dëgjova, por mendjen e kisha te ora e ditës së nesërme. Përpiqesha të gjeja diçka e gjithçka që do t’i përshtatej secilit nxënës për të kuptuar më lehtë njësinë mësimore. Ishte shumë e vështirë.

Zëri i tim biri përsëri ndërpreu mendimet e mia. Kërkesa e njëjtë.

– Jam duke e bërë përgatitjen për nxënës, pyete arsimtarin nesër në shkollë – i thashë vet unë, birit tim, copës së shpirtit tim, motivit të jetës sime. Unë mësimdhënëse e drejtova te mësimdhënësi.

Ora shënonte mesnatën, më i dashuri im kishte fjetur pa e kuptuar detyrën. E përlotur, derisa po flinte me zemër të thyer nga unë, i kërkova falje.

Shpresoj të më falë kur të rritet e të vlerësojë punën që bën mësimdhënësi për nxënësit e tij.
U bëra prind i keq, për t’u bërë mësimdhënës i mirë.

Myrvete Musa, Vushtrri