Policia arreston 3 persona dhe konfiskoi sasi të madhe armatimi

0
406

Policia e Kosovës ka arrestuar 3 persona të dyshuar për krim të organizuar dhe ka konfiskuar 99 armë e shumë municion, gjatë bastisjes ka konfiskuar edhe një numër të madh barnash, raporton “Zëri”.info.

Përmes një konference për medie, drejtori i departamentit për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, Bashkim Spahiu tha se janë në vazhdimësi të hetimit për të arrestuar të gjithë personat që janë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.

“Dje me datë 21 mars, hetuesit e njësitit rajonal fillimisht e kanë ndalë një veturë të dyshimtë audi A3 ku gjatë kontrollit është hasur një sasi e barnave që dyshohet për kontrabandim, gjatë hetimit është konsideruar nevoja që të përfshihen edhe departamente tjera të hetimeve. Ne dje kemi arritur t’i lokalizojmë lokacionet ku gjatë bastisjes është arritur që të mblidhen prova dhe të konfiskohen ku këto prova do t’ia paraqesim prokurorisë si dëshmi”, ka thënë Spahiu.

Ai përmendi se në këtë operacion janë arrestuar 3 perona, janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e barnave, 5000 euro para të gatshme, 99 armë, municion, dhe tri vetura, raporton më tutje “Zëri.info”.

Spahiu ka thënë se policia aktualisht po dyshon se këta tre persona të arrestuar janë pjesë e një grupi më të madh kriminal për të cilin janë duke vazhduar hetimet.

“Në përfundim të operacionit hetusit kanë arritur ti arrestojnë tre persona të cilët me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë. Besoj që zhvillimet hetimore do të nxjerrin edhe persona tjerë që në kët fazë konsiderojmë që është një grup kriminal”, ka thënë ai.

Ndërsa Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, në këtë konferencë të jashtëzakonshme dha edhe disa shifra në lidhje me konfiskimin e armëve në vitin 2018 dhe për tre muajt e parë të këtij viti.

“Gjatë 2018-ës, janë konfiskuar 1473 armë të llojeve të ndryshme dhe 23.941 municione të kalibrave të ndryshëm ndërsa këtë periudhë të kësaj pjese të parë të vitit deri më 21 mars janë konfiskuar 306 armë dhe 3690 municione të kalibrave të ndryshme”, ka thënë Kelani.

Tutje Kelani njoftoi se është duke u zhvilluar edhe një operacion hetimor në nivel të vendit që ka të bëjë me lojërat e fatit.