Policia e kërkonte prej kohësh, shqiptari kapet në hotelin me 5 yje në Itali

0
230

Shqiptari i rrezikshëm, në kërkim prej kohësh nga policia italiane është arrestuar në një hotel luksoz, ku kishte rezervuar për të kaluar festat e fundvitit.

Mediat italiane shkruajnë se 32-vjeçari me inciale A.A u kap mëngjesin e datës 4 janar në një hotel me pesë yje në Forte dei Marmi.

Ai tek recepsioni kishte paraqitur dokumente false, por u zbulua pasi fotoja në dokument ishte shumë ndryshe nga vetë personi, dhe pas kësaj personeli pati dyshime të forta, aq sa njoftoi policinë.

Policia e kishte shpallur në kërkim pasi shqiptari akuzohej për trafik dhe shpërndarje droge, madje ishte emër i njohur pasi ishte dëbuar më parë nga Italia.

Ai u shoqërua nga policia dhe pas verifikimeve do të deportohej nga aeroporti i Fiumicinos, për në Shqipëri.

Zbulimi i tij ishte fare i thjeshtë, mjaftoi një kontroll i shenjave të gishtave për ta kuptuar se ishte ai që kërkohej nga policia.

Ai ishte dënuar më parë në moshën 19 vjeç për krime të rënda, rrëmbim me qëllim të zhvatjen e vazhdueshme, dëmtim personal, mbajtje armësh, ndërkohë që më pas ishte bërë pjesë e një rrjeti trafiku droge.

Shqiptari do të denoncohet në prokurori për mashtrim me gjeneralitete false ndaj forcave të rendit./noa.al/