Policia e Kosovës bastis banka në Veri për përdorim ilegal të dinarit

Policia e Kosovës po realizon një aksion të bastisjeve në institucione financiare bankare në Veri të vendit ku dyshohet për përdorim ilegal të dinarit si valutë, mëson ekskluzivisht “Mitropol” nga burime të veta.

Ky veprim siç mëson “Mitropol” po kryhet pasi më 11 maj ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit, ndërsa që nga 12 maji ndaj gjithë atyre që përdorin valuta të tjera përpos euros për transaksione me para të gatshme në Kosovë, parashihej të ndërmerreshin masa.Në kuadër të kësaj periudhe, nuk janë shqiptuar masa ndëshkuese, por janë ofruar informacione për qytetarët rreth zbatimit të rregullores për pagesa me para të gatshme.

Ndërsa, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

Pas 12 majit të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë duhet të bëhen me euro.

“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, citohet në rregulloren e BQK-së.

Zbatimi i rregullores sidomos në veri të vendit vlerësohej se mund të ishte sfidues.

Në kuadër të këtij vendimi, po ndërmerren edhe aksione policore për të zbatuar ligjin në çdo cep të Republikës, pasi në bankat në Veri po shpërfillet vendimi dhe po vazhdon përdorimi i dinarit.

Kryeministri Albin Kurti, kur ishte pyetur për përfundimin e fazës transitore kishte ritheksuar se Banka Qendrore është ajo që vendos për çështje të tilla, e jo ekzekutivi.

Lini një Përgjigje