Policia e Kosovës kërkon të intervistojë rusen për vjedhje në Prishtinë, reagon UNMIK-u

Policia e Kosovës kërkoi të intervistonte një punonjës të UNMIK’ut rreth një kundërvajtje, më 3 shkurt.
Kështu thuhet në komunikatën e UNMIK-ut, ku thonë se ata janë duke mbledhur informata dhe do të ndërmarrin veprimin e duhur në pajtim me politikat dhe procedurat e Kombeve të Bashkuara.
“UNMIK-u dënon ashpër raportimet në mjete të caktuara informimi televizive, shtypi dhe online të cilat kanë lëshuar akuza shtesë të papërgjegjshme dhe të pabaza, kanë zbuluar informata personale dhe informata tjera konfidenciale, kanë shkelur privatësinë, kanë shkaktuar dëmtim të reputacionit dhe kanë rrezikuar sigurinë e punonjësve të UNMIK’ut dhe anëtarëve të tyre të familjes”.
“UNMIK’u tutje shpreh shqetësim të thellë rreth transmetimit të raportit policor dhe materialit tjetër konfidencial dhe ju bën thirrje autoriteteve përkatëse të marrin masa lidhur me zbulimin dhe publikimin e gabuar”, shkruhet në komunikatën e UNMIK-ut.
Sipas kësaj komunikate del që reagimi është bërë për punëtoren e UNMIK-ut Iana (Andreu) Minochkina, shtetase ruse, si dhe bashkëshortin e saj, Luis (Menduh) Bekteshi, shtetas shqiptar, të cilët ishin arrestuar 5 ditë më parë për vjedhjen e një çante/kuletë në “Beneton”.
Prokurori kujdestar, Rrahim Podvorica, siç mëson Ballkani.info, fillimisht nuk kishte lejuar që të intervistohen apo të iniciohet rast ndaj tyre, por më vonë i kishte kontaktuar hetuesit kujdestarë, duke i udhëzuar që të ftohen palët e dyshuara dhe ndaj tyre të iniciohet rasti: Vjedhje.
Ky rast tani është duke u trajtuar nga Njësia e Hetimeve, kurse rusja Iana Minochkina dhe bashkëshorti i saj nga Shqipëria, Luis Bekteshi, ishin liruar menjëherë në procedurë të rregullt.