Policia: Jemi në Veri për t’ua ndaluar hyrjen në Kosovë zyrtarëve serbë Vulin dhe Gjuriq

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se forcat e shumta të policisë në Jarinje kanë dalë për shkak të ndalimit të hyrjes në Kosovë të zyrtarëve serbë Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq.

“Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saja policore, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS) për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë Vulin dhe Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për implementim të këtij vendimi.

Sipas informacioneve dhe deklarimeve të vetë zyrtarëve serbë, të njëjtit kanë deklaruar se edhe përkundër vendimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës për ndalim të hyrjes së tyre, ata do të realizojnë vizitën e tyre të planifikuar në veri të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

Më tej Policia e Kosovës ka sqaruar se me qëllim të zbatimit të vendimit zyrtar të autoriteteve shtetërore, ka angazhuar njësi relevante policore të cilat do të veprojnë konfrom situatës në raport me vendimin e MPJ-së së RKS-së.

“Ndërsa do të ju lejohet hyrja vetëm personaliteteve të cilët do të kenë leje zyrtare të autoriteteve të shtetit të RKS-së, për të realizuar vizitat e tyre të planifikuara sipas kërkesës zyrtare”, thuhet në njoftim.