Policia jep detaje për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë

0
191

Policia me anë të një komunikate ka bërë të ditur se në orën 1 e 10 të mëngjesit stacioni policor në Malishevë ka marrë informacion për një rast të plagosjes me armë zjarri në fshatin Plloqicë të Malishevës.

“Patrullat policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë konfirmuar se dy persona (vëllezër)  në rrethana ende të pasqaruara janë plagosur me armë zjarri në afërsi të shtëpisë së tyre”, shpjegon policia në komunikatë.

Policia më tutje njofton se të dy të plagosurit më pas kanë vdekur.

“Të plagosurit fillimisht janë dërguar në QKMF-Malishevë, ku është konstatuar vdekja e njërit nga viktimat, ndërsa viktima e dytë ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në QKUK”, sqaroi policia.

Të vrarë, sipas policisë janë personat me inicialet Sh. M. dhe B. M., i pari i lindur në vitin 1973, e i dyti në vitin 1984.

Policia më tutje njofton se është duke ndërmarrë të gjitha masat për identifikimin dhe arrestimin e kryerësve të vrasjes.

Policia ende nuk i di motivet e këtij krimi.