Policia nuk arrin ta kapë avokatin nga Gjakova, ai shfaqet në ‘Facebook’

0
454
Edhe pse kanë kaluar gati njëmbëdhjetë orë pas kanosjes ndaj një zyrtari të sigurimit në Prokurorinë e Gjakovës, Policia ende nuk e ka kapur të dyshuarin – avokatin Y.Gj.
“Ende nuk kemi arritur ta gjejmë të dyshuarin”, tha për KALLXO.com para pak çastesh zëdhënësja e Policisë Rajonale të Gjakovës, Lirije Podrimaj.
Prokuroria e Gjakovës ka njoftuar se Policia është vënë në kërkim të ish-zyrtarit ligjor të Prokurorisë, tash avokat, Y.Gj., nën dyshimin se sot ka kërcënuar personin D.K., personel i sigurimit në Prokurorinë e Gjakovës.
Ndërkohë, avokati i dyshuar është paraqitur përmes rrjeteve sociale.
Ai drejton akuza nga më të rëndat në adresë të kryeprokurorit të Gjakovës, Ali Selimaj.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur rreth orës 11:00.
“Përderisa i dëmtuari D.K. ishte duke e kryer detyrën e tij të punës, avokati Y.Gj., nuk e ka përfillur atë dhe procedurat e rregullores së Prokurorisë, duke hyrë brenda në Prokurori, dhe përderisa ka dalë jashtë e ka kanosur atë duke përdorur fjalët: “do ta shohësh kush jam unë”, “rrugaç” e fjalë të tjera”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Gjakovës.