Politika larg duart nga futbolli

Më 7 shkurt 2018 do të mbahen zgjedhjet për Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndërkaq, për herë të parë UEFA sqaron zyrtarisht qëndrimin e saj rreth zgjedhjeve që do të zhvillohen më 7 shkurt në Shqipëri për postet drejtuese të FSHF- së Ashtu si edhe herë të tjera UEFA thotë se politika duhet të qëndrojë larg futbollit.

Pedro Pinto, drejtori i Komunikimit në “qeverinë europiane të futbollit” flet rreth asaj që po ndodh me fushatën e kandidatëve në Shqipëri, qëndrimin e tyre për ndikimin politik mbi zgjedhjet dhe atë se çfarë do të ndodh në vazhdim, shkruan standard.al.

“UEFA së bashku me FIFA-n po ndjekin nga afër zhvillimin e fushtës për zgjedhjet e 7 shkurtit dhe po informohen për të gjitha zhvillimet”, deklaroi  Pedro Pinto.

Ai deklaron se UEFA nuk do të tolerojë ndërhyrjet e politikës në futboll.

Drejtori i Komunikimit në UEFA thotë se UEFA është e informuar për atë që po ndodh. “Pozicioni i UEFA-së në ndërhyrjet e politikës është shumë e qartë, zero tolerancë. Kjo është pjesë e strategjisë së UEFA”,- tha ai.

Megjithatë, pas shumë përballjesh zgjedhore, kjo e vitit 2018 pritet të jetë më e ashpra për nga emrat e kandidatëve, pritja e tyre dhe koha e shkurtër për një fushatë zgjedhore bindëse, deri më 7 shkurt.

Armand Duka,  do të jetë në kërkim të mandatit të pestë , duke u kërkuar edhe një herë besimin anëtarëve të Federatës.

Në fillim, kur Duka mori drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk kishte as zyra. Shpejt arriti t’i japë institucionit fytyrën e duhur, duke përmirësuar jo thjesht ambientin administrativ, por edhe funksionimin, shkruan Telegrafi.

Ekipet shqiptare të Superiores ishin në atë gjendje sa nuk arrinin të kalonin asnjë tur në garat ndërkombëtare, ndërsa Kombëtarja rrinte gjithmonë në vendet e fundit.

Tani, Kombëtarja është në gjendje të vendosë në vështirësi edhe ekipet e mëdha, ndërsa suksesi kulmor ishte pjesëmarrja në finalet e Evropianit. Janë ndërtuar dy stadiume me standarde të larta, si “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, ndërkohë që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm edhe “Arena Kombëtare”.

Konfliktet e vazhdueshme të disa prej anëtarëve me Federatën kanë krijuar pakënaqësi, që mund të përkthehen në votë kundër dhe kandidatura alternative përballë presidentit Duka.

Një i pakënaqur është ekipi i Flamurtarit, skuadra që pritet të mbështesë kandidaturën e shumëpërfolur kohët e fundit të deputetit socialist, Bashkim Fino. Lidhjet e tij me sportin janë si tifoz, apo futbollist amator, por pika e fortë e Finos është përkatësia në Partinë Socialiste që qeveris sot vendin në nivel qendror dhe lokal, ku shumë përfaqësues të pushtetit lokal janë votues në Asamblenë zgjedhore të FSHF-së.

Me vendosjen e Bashkim Finos në krye të FSHF-së nuk kemi ndryshuar asgjë vetëm se një biznes do të kalojë nga një dorë tek tjetra, shkruan Dritan Hila në një opinion.

Prandaj, thirrjet e UEFA-s duhet të respektohen që politika mos të ndërhyjë në sport.