Politikanët primitivë nuk e kuptojnë (apo nuk e aprovojnë) se shteti udhëhiqet bashkërisht – nga qeveria dhe opozita!

Shkruan: Shukri Klinaku

Demokracia që aplikohet sot gjithandej në botë, ndër ligjet më të rëndësishme që del nga kushtetuta, ka LIGJIN PËR ZGJEDHJET. Është ndër më të rëndësishmit, sepse në mënyrë periodike (pra, në intervale ligjërisht të caktuara) jep mundësi që qeveritarët të sprovohen nga besimi i qytetarëve. Konsideroj se arsyeja më e shpeshtë e prapambetjes së shoqërive që tashmë kanë lirinë kombëtare është keqkuptimi dhe keq-zbatimi i porosisë së ligjit të zgjedhjeve politike të një vendi.

Cila është porosia dhe shansi për përparim që jep ligji i zgjedhjeve?

Zgjedhjet politike të një vendi nxjerrin qeverinë, si përgjegjëse për udhëheqjen me resurset e vendit. Ndërsa, në anën tjetër, opozitës i ngarkojnë rolin e vëzhguesit, kontrolluesit, kritikuesit, denoncuesit për të gjitha segmentet e administratës dhe për të tria pushtetet e shtetit. Duke bërë këtë opozita – përveç se ndihmon në zgjidhjen e problemeve – ajo forcohet, mësohet, stërvitet dhe si përfundim, eventualisht, përpilon program qeverisës më të avancuar se sa të rivalit politikë dhe në zgjedhjet vijuese provon ta marrë besimin për të qeverisur. Konsideroj se kjo është porosia e ligjit të zgjedhjeve, madje edhe shansi që vendi të përparoj, jo vetëm për shkak të qeverisjes eventuale të mirë, por edhe për shkak të opozitës së mirë.

Politikanët primitivë nuk e kuptojnë (apo nuk e aprovojnë) porosinë e ligjit të zgjedhjeve!

Politikanët primitivë, konsideroj se janë ata që nuk e kuptojnë politikën, ata që nuk e kuptojnë funksionimin e shoqërisë së organizuar, ata që janë dembelë, ata që resurset e përbashkëta i shohin si çiflig të qeveritarëve, ata që nuk e duan përparimin personal nëpërmjet të përparimit të shoqërisë. Politikanët primitivë nuk e lexojnë drejt porosinë dhe shansin që jep ligji i zgjedhjeve. Politikanët primitivë thonë dhe veprojnë sipas tezës shkatërruese për një shoqëri të organizuar: “në natyrën e opozitës është që të tentoj ta rrëzoj gjithnjë dhe në çdo rrethanë qeverinë”. Pra, këta politikanë nuk e pranojnë se edhe opozita ka rol në qeverisjen e shtetit. Këta politikanë refuzojnë të punojnë çdo ditë, me orar dhe sistematikisht në vëzhgim dhe në kontrollim të çdo segmenti të administratës. Ata mjaftohen në “vëzhgim dhe kontrollim” të kryeministrit dhe ministrave dhe, sidomos, mjaftohen në fjalorin e tyre shumë të ngushtë: hajna, vjedhje, korrupsion – prandaj duhet zgjedhje të reja të parakohshme. Pse duhen zgjedhje të tilla? Për të ndërruar “hajnat dhe bartësit e korrupsionit”? Jo. Për zgjedhje me këtë qëllim, së paku le t’i presim të rregulltat. Ndërsa, zgjedhje të parakohshme për shkak të “vjedhjes dhe korrupsionit” qeveritar mund dhe duhet të ketë, por ato duhet të vijnë si pasojë e një pune permanente të opozitës, të bazuar në ligj dhe argumente mbi “vjedhjet dhe korrupsionin” dhe duke respektuar të gjitha pushtetet e shtetit. Me rëndësi të madhe është që të sprovohet pushteti i gjyqësorit me anë të denoncimit të “vjedhjeve dhe korrupsionit” në gjyqësor. Natyrisht, protesta ligjore është mjet fisnik në duart e opozitës, të cilin mjet politikanët primitivë e keqpërdorin dhe e përlyejnë dhe çka është më e keqja – e konsiderojnë si mjetin e vetëm të veprimit të opozitës.

Në esencë, shteti udhëhiqet bashkërisht – nga qeveria dhe opozita!

Për politikanët e mirëfilltë shteti udhëhiqet bashkërisht – nga qeveria dhe opozita. Për politikanët primitivë shteti udhëhiqet vetëm nga qeveria. Politikani primitiv në qeveri – përjashton apo tenton ta pamundësoj rolin e opozitës në qeverisje. Ndërsa politikani primitiv në opozitë, as që dëshiron të marrë përgjegjësitë që i takojnë në qeverisje (për shkak të karakterit që ka). Opozitarizmi i politikanëve të mirëfilltë ka rol fisnik në qeverisjen e shtetit. Ndërsa, opozitarizmi i politikanëve primitivë “prodhon” paraprakisht dhe gjithnjë një “qeveri të KEQE”. Ky është dëmi më i madh i politikanëve që duan me çdo kusht pushtetin. Ky është dënimi më i madh që i bëhet një populli, sepse do të udhëhiqet gjithnjë nga një qeveri “E KEQE”. Vërtetë, me opozitën e përbërë me politikanë primitivë, qeveria do të jetë gjithnjë dhe komplet e keqe (me thonjëza e pa to), për këto dy arsye kryesore: E para, politikanët primitivë në opozitë “parimisht” e nxjerrin qeverinë gjithsesi “TË KEQE” në të gjitha veprimet; E dyta, në kësi atmosfere, pa kontroll meritor ditor, qeveria me lehtësi rrëshqet (në shumicën e rasteve) në qeveri TË KEQE. Kjo ka për pasojë rrënimin e sistemit të vlerave; dhe njerëzit vijnë në përfundimin shkatërrues se “vetëm njerëzit primitivë janë të destinuar për udhëheqje të shtetit”.