Pollogu edhe për dy vitet e ardhshme pa fabrikë për riciklimin e mbeturinave

Pollogu, të paktën edhe dy vitet e ardhshme nuk do të ketë fabrike për riciklimin e mbeturinave. Ky rajon i e përbërë prej nëntë komunave, nuk ka as plan për menaxhim rajonal të mbeturinave.

“Për momentin, plan për menaxhimin e mbeturinave në nivel rajonal nuk posedojmë. Kemi vetëm studimin e fizibilitetit i cili po ashtu do të pësojë revidim nga i njëjti konsultat. Po ashtu parashihen edhe disa masa infrastrukturore që do lehtësojnë dhe do të çojnë drejt zgjidhjes së problemit të mbeturinave pra kjo është ajo që bëjmë për moment si Qendër për zhvillim rajonal – deklaroi Fatmir Sahiti, Drejtor i QZHRP”.

Mosmarrëveshja mes 9 komunave të cilat i mbulon Qendra për zhvillim regjional të Pollogut, ka bërë që të dështojë menaxhimi me mbeturinat. Edhe përkundër kësaj, drejtori Sahiti shprehet se të nëntë komunat bashkë kanë kapacitet për ta bërë këtë fabrikë të riciklimit.

“Si nëntë komuna kemi kapacitet. Duhet të merremi vesh dhe besoj që mund ta rregullojmë por, gjithnjë duke pasur ndihmën teknike të partnerëve bilateral, Qeverisë, dhe donatorëve të tjerë, pasi që mundësitë financiare janë ato që janë – theksoi ai”.

Vite më parë, regjioni planor i Pollogut pati një nismë për zgjidhjen e këtij problemi, përmes firmës “Hinkel” nga Gjermania, por tenderi dështoi dhe kurrë nuk u sqarua se cilat ishin arsyet. Shteteve fqinje, siç është Shqipëria, çështjen e menaxhimit të mbeturinave dhe deponive tanimë e kanë zgjidh përmes impianteve nga të cilat ka edhe përfitime./AlsatM/