Pozita e mësuesit në shoqërinë tonë shqiptare

0
1342

Shkruan: Dr. Ramë Miftari

Pa dashur të polemizoj me askënd,në këto ditë kur flitet e pëflitet shumë për arsimin dhe mësuesin, desha të jap nje mendim timin rreth pozitës së mësuesit në shoqërinë tonë shqiptare.

Ishte një kohë kur mësuesi përfaqësonte personin më të respektuar në shoqërinë tonë shqiptare. Disa nga ta u shndërruan në idhuj që sot e kësaj dite vazhdojnë të ngjallin ndjenjen e qëndrueshmerisë, mosdorëzimit dhe vetflijimit deri në vdekje. Ishte Migjeni që me punën dhe veprën e tij, ndonëse të shkurtër, për shkak të vdekjes së hershme, vazhdon të jetë shembulli më i fuqishëm i mësuesit, krijuesit e poetit për breza të tërë.

Shembëlltyra e Fazli Grajqevcit e skalitur në ndërgjegjen e secilit atdhedashës ishte shembulli i mësuesit, më i miri i mësuesve shqiptar, i gatshëm për sakrificë dhe vetflijim, për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kombin.

Por, shembujt e tillë të mësuesve shqiptar kishim shumë edhe viteve 90-ta, para dhe gjatë luftës, të cilët krahas lapsit, kapen pushkën dhe për lirinë e atdheut dhanë më të shtrenjten, jetën. Të tillë kishte mjaft, por do përmend kësaj radhe vetëm dy tyresh që i njoha, arsimtar Feriz Blakqorin të vrarë me dhunë deri në vdekje dhe Selim Berishen, i cili u vra në luften e pabarabartë, duke mbrojtur pragun e shtëpisë, në luftë me hordhitë serbe. 

Pra, shqiptarët patën fat, sepse falë mësuesve që kishin, arritën të krijojnë mjekë, juristë, inxhinierë, ekonomistë, bile edhe akademikë dhe akademinë e shkencave. Të gjitha këto ishin pikënisja e rreshtimit në rrugën e drejtë për ta fituar lirinë. Liria si kusht për jetën me të mirë nga kush u spjegua më mirë se nga mësuesit. Pra, kurrizi dhe shtylla, arkitekti i lirisë që gëzojmë sot ishin mësuesit.

“Po dëshiron të rrënosh një shtet, rrënoje arsimin, degradoje shkollen dhe nënçmoje mësuesin”.

Shkolla, pra mësuesi, miqtë e mi, të dashur është strumbullari prej ku fillon ngritja, zhvillimi dhe emancipimi i një shoqërie dhe një vendi.
Mësuesi është fajtori kryesor që ekziston mjeku, prokurori, gjykatësi, ekonomisti, politikani.

Dhe ju pyes të gjitheve, a ka cmim monetar që mund të paguaj këtë profesion kaq fisnik e human? Jo, nuk ka asnjë vlerë monetare që mund të shpërblejë këtë mision të shenjtë. Ka vetëm një mundësi t’u dilet hak këtyre misionarëve të përhapjes së dritës dhe dijes, e kjo është të kthehet autoriteti i mësuesit në shoqëri.

Në këtë botë përkuljen para tyre e meritojnë vetëm prindi dhe Mësuesi. Kjo duhet të ndodhë edhe në shoqërinë tonë. Për fat të keq, sot mësuesi ynë është i nënçmuar, i varfër, i lënë pasdore dhe pa kurrfar autoriteti. Por, jo me fajin e tyre, sic pretendojnë disa t’ua hedhin fajin.

Faji ka qenë i shoqërisë dhe politikës të cilët me dashje dhe padashje bënë çmos për të rrënuar shkollën dhe dijen. Kjo nuk kërkon shpjegim, sepse i madh e i vogël, memec dhe i verbër e dinë se si është degraduar arsimi në Kosovë.

Si përfundim: do dëshiroja të jetoja në një shoqëri, ku baza e piramidës së shtetit të jetë mësuesi e maja shkenca.