Prej shkurtit shtrenjtohen Schengen-vizat

Prej 2 shkurtit të vitit 2020, parashihen të rriten çmimet për Schengen-viza.

Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e Schengen-viza, derisa theksohet se aplikuesit që deri tani paguajtën 60 euro, prej 2 shkurtit do të paguajnë 80 euro. Sipas kësaj rritje, i bie që qytetarët do të paguajnë 33.3 për qind më shumë, transmeton Koha.net.

Ky kod i ri parashikon gjithashtu zgjatjen e periudhës së aplikimit.

Ata të cilët do të dëshirojnë të vizitojnë ndonjë prej vendeve të Zonës Schengen, mund të aplikojnë për vizë 6 muaj më herët nga koha kur planifikojnë të udhëtojnë, pasi aktualisht aplikimi mund të bëhet vetëm 3 muaj më herët.

Ky ndryshim i Rregullores për Viza është miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian në qershor të vitit 2019 dhe do të aplikohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe vendet tjera që janë pjesë e Marrëveshjes për Schengen.

Përveç këtyre, shtetet anëtare do të jenë të detyruara të hapin qendra për procesim të vizave në vendet ku nuk kanë përfaqësi, në mënyrë që aplikantët të mos të detyrohen të udhëtojnë në shtete të tjera vetëm për të aplikuar.

Një zëdhënës i Zyrës Federale Gjermane ka konfirmuar gjithashtu se misioni gjerman do të zbatojë Kodin e Vizave të Regjistruara të Schengenit nga 2 shkurti 2020, si dhe zyrtarë nga Njësia e Vizave të Ministrisë për Punë të Jashtme të Finlandës, Zyra e Shtypit e Punëve të Jashtme të Belgjikës, dhe Ministria e Jashtme e Danimarkës.