Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi : Armando Duka në UEFA, zë për futbollin mbarëshqiptar

Armand Duka, president i FSHF-së, u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të  UEFA-s në kongresin e mbajtur në Romë, duke siguruar 36 vota.
Kjo është hera e parë që futbolli shqiptar do të përfaqësohet nga ndonjë anëtar në qeverinë evropiane të futbollit.
Me këtë rast, kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, në emër të klubit e ka uruar zotin Duka.
“Është ky një lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për futbollin në Shqipëri, por për futbollin gjithëshqiptar. Duka në vazhdimësi ka ndihmuar futbollin në Kosovë, por tani zëri i tij do të jetë edhe më i fuqishëm në këtë drejtim”.
“Me një shqiptar në qeverinë e futbollit evropian, e sidomos me z.Duka, ne të gjithë do të përfitojmë në çdo sferë të saj. Duka e ka merituar një post të tillë, sidomos me ndihmën e dhënë për ne, për avancimin e futbollit në Shqipëri. Kjo ndihmë profesionale tani do të jetë edhe zyrtare nga shtëpia e futbollit evropian”.

“E urojmë z. Duka të kontribuojë sa më shumë në zhvillimin e futbollit mbarëshqiptar. Ndërsa nga të gjitha klubet do ta ketë çdo lloj ndihme që do t’i duhet në të ardhmen”.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është organizmi ekzekutiv suprem i UEFA-s.
Përbëhet nga Presidenti UEFA-s dhe 16 anëtarë të tjerë, nga të cilët të paktën një femër, që zgjidhen nga Kongresi i UEFA-s.
Dy anëtarë zgjidhen nga Shoqata e Klubeve Evropiane (ECA) dhe një anëtar që zgjidhet nga Ligat Evropiane, të ratifikuara nga Kongresi, të gjithë me të njëjtat të drejta dhe detyra si të gjithë anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv.